Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj në një prononcim për GazetaBlic ka treguar se cilat janë fazat e fundit për liberalizimin e vizave të Kosovës.
Ahmetaj thotë se tani vendimi do të kalojë në Parlamentin Evropian ku eurodeputetët do të votojnë në Asamble.
Sipas Ahmetajt shtyerje të afatit për këtë çështje nuk do të ketë, pasi siç shton Republika e Kosovës e ka pas gjithmonë përkrahjen e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave.
“Prej momentit kur është vendosë sot në Këshillin Evropian, vendimi do të kalojë në Parlamentin Evropian ku eurodeputetë do të votojnë në Asamble për çështjen e liberalizimit të vizave. Siç e kemi parë në vazhdimësi, Kosova e ka pas përkrahjen e parlamentit evropian dhe ata kanë bërë thirrje që Kosovës t’i mundësohet lëvizja e lirshme”, tha Ahmetaj.
Ahmetaj thotë se vendimi që do të merret do të vendoset pastaj në gazetën zyrtare.
“Pasi që vendimi të vendoset në gazetën zyrtare që e tillë do të bëhet ligjërisht e obligueshme për zonën Schengen, qytetarët e Kosovës brenda një periudhe të caktuar do të lëvizin lirshëm”, shtoi Ahmetaj.
“Ashtu siç është thënë qysh nga tetori i vitit të kaluar nga KiE më së largu më 1 Janar 2024, në momentin kur ETIAS hyn në fuqi edhe qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm. Kjo është e gjitha procedura nga tani deri tek momenti final për liberalizim”, tha Ahmetaj për GazetaBlic.
Kujtojmë se, sot Këshilli i Ministrave e ka miratuar me unanimitet liberalizimin e vizave për Kosovën.
Këshilli i Ministrave miraton unanimisht liberalizimin e vizave për Kosovën