Lajme

“Opozita ta sqarojë pozicionin për marrëveshjet, i dolën keq matematikat për pranimin e planit evropian”

03/09/2023 14:59
nga:G B

Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka nisur vizitën në Kosovë, para takimit të Ohrit që do të mbahet me 18 mars, në mes të Kurtit e Vuçiq.

Lidhur me vizitën e tij dhe mundësinë që ai t’i bëjë presion opozitës për kundërshtimin e planit evropian, për Gazeta Blic ka folur njohësi i çështjeve politike, Gazmir Raci.

Ai thotë se opozita duhet ta sqarojë pozicionin e saj për zbatimin ose jo të marrëveshjeve të arritura në dialog.

“Opozita kosovare duhet vetëm ta sqarojë pozicionin e tyre se a janë pro zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani në dialog apo po bëjnë politikë në dëm të Kosovës”, shprehet Raci.

Analisti thotë se opozitës i humbi rruga në oborr dhe nuk i doli mirë matematika pasi Kosova e pranoi planin evropian, pasi sipas tij e ka pritur të kundërtën.

“Pasi që Kosova i tha zyrtarisht po planit gjermano francez, opozita e humbi rrugën në oborr sepse duket që e kanë pritur të kundërtën dhe pastaj ata do të bënin një luftë të paparë politike, por keq i dolën matematikat”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Raci shton se Kosova e ka ruajtur miqësinë e përhershme me SHBA-të dhe BE-në.

“Kosova mbi të gjitha tani ka ruajtur miqësinë e përhershme me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian dhe po ecë sigurt drejt anëtarësimit në BE dhe NATO”, deklaroi Gazmir Raci./Gazeta Blic/