Lajme

“Aman mos kallëzoni të pavërteta”, përplasje e ashpër mes ministrit Vitia dhe deputetit Haxhiu

03/09/2023 11:55
nga:Astrit Gashi

Një debat dhe përplasje është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës mes deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Haxhiu, u shpreh se Vitia mund të flas për gjithçka por jo edhe për periudhën që udhëheq me dikasterin e shëndetësisë.

Ai po ashtu tha se ministri Vitia ka nënshkruar kontrata pa autorizim marketingu, në kohën e pandemisë

“Ai nuk mund të flas edhe për 12 milionë euro keqpërdorime të ShSKUK për vitin 2021 që i ka evidentuar Zyra e Auditorit. Ky po harron se në kohën e pandemisë, ky është ministri që ka nënshkruar kontrata pa autorizim marketingu”, tha Haxhiu, në seancën e sotme.

Madje, ai u shpreh se Vita duhet të përgjigjet para deputetëve për përgjegjësinë që e ka si ministër i Shëndetësisë.

“Udhëzimi administrativ për barna është nënshkruar në vitin 2019. Nëse mendoni se ju jeni më i madh se ligji, është çështje që ju mendoni”, shtoi ai.

Më pas, Vitia u përgjigj duke thënë se pretendimet e Haxhiut janë të pavërteta.

“Po shihni zoti Lushtaku që nuk i keni lexuar as vendimet e OSHP-së apo gjykatave, çfarëdo që them është kot sepse bëjmë muhabet, unë s’kam ardhur për muhabet”, tha Vitia.

“S’është e vërtetë që kam nënshkruar, merre sillma këtu. S’keni gjetur kurrgjë. Mos kallëzoni të pavërteta aman. Toni jem është ma emocional. Natyrisht jam edhe mjek, detyra jem është t’i kryej detyrat sepse pa emocion s’mund t’i shtyj këto. Gëzojeni edhe vendimeve të mira. Nuk zgjidhet kjo me udhëzim administrativ, por me ligje”, u shpreh Vitia.