Partitë opozitare e kanë lëshuar seancën e Kuvendit, raporton Gazeta Blic.
PDK dhe LDK kanë vendosur të largohen nga seanca, pasi 3 pika që ishin në rend të ditës, votimi i disa marrëveshje ndërkombëtare nuk arritën të kalonin.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri tha se nuk do të qëndrojnë në seancë, pasi pavarësisht përkrahjes së tyre për marrëveshje finale, VV nuk i ka 61 deputetë në seancë.
“Nuk duhet të vazhdojmë të qëndrojmë sepse është i pakuptimtë qëndrimi ynë në këtë seancë. Pra, që 1 orë e gjysmë as edhe një pikë e vetme nuk arriti të kalojë. U munduam që t’iu japim përkrahje në marrëveshje ndërkombëtare, prapë ju nuk i keni 61 deputetë, prandaj, ne si GP nuk do të qëndrojmë në seancë”, tha Tahiri.
Kundër qëndrimit në seancë u shpreh edhe LDK, ku shefi i GP të kësaj partie, Arben Gashi, tha se VV e bëri të pamundur punën e kuvendit dhe do të largohen nga seanca.
“Në vazhdën e sjelljes së papërgjegjshme të GP të VV-së për marrëveshjet parlamentare, duke i spostuar nga rendi i ditës, e bënë të pamundur punën e kuvendit, kështu që edhe ne si GP nuk do ta vazhdojmë këtë seancë”, tha Gashi./Gazeta Blic/


