Sporti

Devolli: Jam rikthyer me dëshirën më të madhe tek Drenica, mbijetojmë në Superligë

03/06/2023 19:42
nga:Mergim Rreci

Trajneri Bledar Devolli e ka nisur në mënyrë të mrekullueshme aventurën e re tek Drenica.

Devolli është rikthyer përsëri në krye të skuadrës nga Skenderaj, duke triumfuar në ndeshjen e parë ndaj Ferizajt.

Në takimin e xhiros së kaluar, Drenica mposhti Ferizajn me rezultat 1-0 me golin e shënuar nga Archange Bintsouka – Koxy.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Devolli tha para ndeshjes me Trepçën 89′, se duan të vazhdojnë me këtë motiv dhe entuziazëm.

“Po jam rikthyer dhe me një dëshirë shumë të madhe. Jam shumë i lumtur dhe për këtë falënderoj drejtuesit që më besuan dhe dua t’i shpërblej me punë. Ndeshjen e parë e fituam ndaj një kundërshtari shumë në formë. Kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme dhe për pikët, por më shumë për moralin e djemve. Dhe me këtë mptiv dhe entuziazëm duam ta luajmë ndeshjen me Treçën ’89. Duhet të eliminojmë sa më shumë gabimet dhe të krijojmë një identitet si filozofi loje në 2 fazat e saj. Nëse bëjmë atë që punojmë në stërvitje, besoj se rezultatet do të jenë në anën tonë”, tha fillimisht ai.

Më pas, ai u pyet edhe për misionin e madh të mbijetesës, ku tifozët e shohin atë edhe si ‘shpëtimtar’ të klubit në këto momente.

“Unë nuk kam ardhur si shpëtimtar, kam ardhur për të bërë këtë punë që di të bëj më së miri. Më vjen mirë që skuadra më besoi sërish, që do të thotë se kam lënë gjurmë të mira herën e parë, por që nuk e përfundova misionin. Prandaj erdha me shumë kënaqësi dhe bashkë me drejtuesit, ne si staf dhe futbollistët ta shpëtojmë Drenicën nga rënia nga Superliga. Dhe pse të mos vazhdojmë një projekt afatgjatë për të mirën e Drenicës dhe këtij komuniteti që e do shumë futbollin“, përfundoi Devolli.

/GazetaBlic Sport/