Lajme

“S’dihet a do të ketë takim Kurti-Vuçiq në Ohër”, PDK: Veprimet e Qeverisë të dhimbshme për Kosovën

03/06/2023 17:55
nga:Genita C

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj thotë se nuk është i sigurt nëse do të mbahet takimi i 18 marsit në Ohër, mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

Qalaj në një prononcim për GazetaBlic thotë se, nëse ka takim Kurti-Vuçiq do të diskutohet rreth marrëveshjes që janë pajtuar në parim në Bruksel, teksa shton se reagimi i tyre vazhdon të jetë i ashpër në lidhje me këtë çështje.

Qalaj shton se reagimi i ashpër nga kjo parti opozitare vjen edhe nga raportimet e fundit që u tha se, neni 4 i kësaj marrëveshjeje që u miratua nga kryeministri Kurti, është mos-pranimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Nuk jam i sigurt nëse do të ketë takim apo jo, por nëse do të ketë do të diskutohet mbi këtë marrëveshjen që ata janë pajtuar në parim. Reagimi i opozitës ka qenë mjaft i ashpër ndaj kësaj marrëveshjeje, shkak disa nene që janë diskutabile, aq më shumë kur sot në shumë medie u raportua se si pjesë e nenit 4 do të jetë edhe çështja e mos-pranimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara”, tha Qalaj.

Qalaj thotë se është skeptik nëse do të arrihet marrëveshja me njohjen reciproke në qendër, ku sipas tij çdo marrëveshje tjetër është dështim.

“Jam shumë skeptik nëse do të ketë përparim për arritjen e ndonjë marrëveshjeje, sidomos marrëveshje që mund të ketë njohjen reciproke. Çdo marrëveshje tjetër që nuk e ka njohjen reciproke Kosovë-Serbi, është marrëveshje që do të dështojë”, tha Qalaj për GazetaBlic.

Edhe deputeti i kësaj partie, Ferat Shala kritikoi Kurtin për mos-transparencë në lidhje me takimet e fundit me presidentin serb, Vuçiq.

Shala në një prononcim për GazetaBlic tha se, Qeveria Kurti tjetër gjë premtoi dhe sipas tij ndryshe veproi.

“Ne nuk kemi transparencë, informacionë të nevojshëm dhe nuk kemi pas elaborim të saktë mbi veprimet dhe qëndrimet finale të shtetit tonë. Nuk kemi pasur një përgjigje edhe në pyetjet parlamentare që kemi ngritur në debatet në seancë, nuk mund të parashikojmë asgjë. Kjo qeveri ka qenë jokomunikuese me opozitën dhe mbi të gjitha ka qenë jo e sinqertë me atë që ka prezantuar dhe ka vepruar”, tha Shala.

“Ka mos përputhje të plotë mes së deklartave dhe veprimeve. Është e dhimbshme dhe dëmshme për politikën e Republikës së Kosovës se si po zhvillohet në terr informativ komplet procesi kaq i ndishëm, kaq i rëndësishëm dhe kaq vendimtar për shtetin tonë”, tha Shala për GazetaBlic.