Në mungesë të të akuzuarit B.T, ka dështuar të mbahet gjykimi për shpëlarje parash, ku në këtë rast të akuzuar janë edhe Q.T, A.T dhe J.T.
Sipas kryetarit të trupit gjykues i akuzuarit B.T, gjendet jashtë vendit për arsye shëndetësore, prandaj edhe gjykimi planifikuar për sot nuk u mbajt.
Prezent ishte prokurorja speciale Habibe Salihi, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit B.T, avokati Ramiz Krasniqi i akuzuari Q.T me mbrojtësi avokatin Naser Sopjani, i akuzuari A.T me mbrojtësen avokaten Sadije Mjekiqi dhe i akuzuari J.T me mbrojtësi avokatin Armend Krasniqi.
Ndryshe, sipas aktakuzës, B.T gjatë periudhës kohore 2010-2018, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme, duke bashkëvepruar me shtetasin holandez J.G, me qëllim të fshehjes apo të maskimit të natyrës, burimit, vendit dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së përfituar me aktivitete kriminale nga shtetasi holandez J.G, aktivitet ky që ishte i ndërlidhur me vepra të ndryshme penale (droga të forta të ndryshme, mashtrim, tentim vrasje e kryer disa herë, vrasje dhe vrasje pa dashje, armë dhe municion si dhe shkelje pronash, shkelje trashëgime) me qëllim që pasuria e kundërligjshme të duket si e ligjshme, ka bashkëpunuar me të pandehurit tjerë.
Në aktakuzë thuhet se B.T fillimisht i ka udhëzuar të hapin llogari bankare, të regjistrojnë firma në emër të tyre si të veprojnë me shuma të mëdha, pastaj së bashku me shtetasin holandez kanë hapur firmën “J&B” sh.p.k gjoja se për ndërtimin e objekteve banesore dhe jo banesore, firmë kjo e cila nuk ka ushtruar asnjë aktivitet ekonomik, por me qëllim të fshehjes apo të maskimit të pasurisë së përfituar me aktivitet kriminal, ka realizuar transaksione bankare dhe atë në hyrje të shumave prej 706,887.00 euro dhe dalje në shumë prej 671,975.81 euro.
Sipas aktakuzës, këto transaksione janë realizuar në emër të Q.T, motrës së të pandehurit B.T, sipas sugjerimeve të pandehurit B.T, pastaj me mjetet materiale që janë fituar me vepër penale, apo duke besuar se kjo pasuri është fituar nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal, ka bërë pagesën për banesën e cila gjendet në Prishtinë, në shumën prej 22,000 euro.
Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Q.A në të njëjtën periudhë kohore ka hapur llogari në “TEB Bank”, “ProCredit Bank”, “Raiffesisen”, pastaj e ka regjistruar firmën fiktive N.T.P “Valoni Sport” në emër të saj dhe nga shtetasi holandez ka pranuar shuma të ndryshme parash nga Turqia dhe Holanda edhe në llogarinë e saj private edhe në llogarinë e firmës.
Sipas aktakuzës e pandehura Q.A, sipas sugjerimeve të të pandehurit B.T, me përshkrimin e “hulumtimit të tregut” gjoja për qëllim të investimit në ndërtimtari, përsëri këtë shumë të mjeteve materiale e ka transferuar në llogari të ndryshme te shtetasit holandez J.G. në Holandë, Turqi, Belgjikë, Spanjë e Gjibraltar, me përshkrimin kthimi i huazimit, blerja e aksioneve etj. Ato shuma thuhet se janë përdorur me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës së burimit të cilat arrijnë vlerën deri në 1,060,000.00 euro, ndërsa Q.A nga kjo shumë ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme 71,880.00 euro, të cilat mjete nuk i ka transferuar por i ka mbajtur në llogarinë e saj.
E pandehura A.T në periudhën e njëjtë kohore ka bashkëvepruar me të pandehurit në atë mënyrë që fillimisht ka hapur llogari bankare në “TEB Bank” dhe “ProCredit Bank”, pastaj ka regjistruar firmën fiktive AB “Ndërtimtari” dhe e njëjta ka pranuar shuma të ndryshme nga shtetasi holandez, e cila po ashtu prapë i ka transferuar në llogaritë e ndryshme të shtetasit holandez.
Tutje në aktakuzë thuhet se e pandehura A.T. ka transferuar para në vlerën deri në 1,444,970.00 euro, ndërsa nga kjo shumë ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 55,420.00 euro, të cilat mjete nuk i ka transferuar por i ka mbajtur në llogarinë e saj.
Ndërsa në aktakuzë thuhet se i pandehuri J.T ka bashkëpunuar me të pandehurit (fëmijët e tij), ashtu që duke e ditur se kjo pasuri është fituar nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal, pra me paratë e përfituara nga ky aktivitet, ka bërë pagesën e dy banesave në Prishtinë.
Aty thuhet se në mënyrë që këto para të duken si të ligjshme, fillimisht janë transferuar në llogarinë e te pandehurit J.T, ndërsa me datë 28 prill 2017, me qëllim që këto para të kundërligjshme te duken si të ligjshme, shumën prej 50,000.00 euro e ka transferuar tek llogaria bankare e shtetasit holandez, për tu bërë pagesa e dy banesave.
Me këtë të pandehurit në vazhdimësi, në bashkëveprim, thuhet se kanë kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Ligjit 05/L96 neni 56, paragrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Abdixhiku në Prekaz: Me rënien e familjes Jashari, lindi përpjekja finale për liri


