Liridon Fetahaj shënoi një nga golat më të bukur deri tani në Ligën e Parë të Kosovës.
Lojtari i Lirisë, Fetahaj u bë hero i skuadrës së tij duke i dhënë fitore vendimtare skuadrës së tij me golin e realizuar ndaj rivalit kryesor për promovim në Superligë, Feronikeli 74, shkruan GazetaBlic Sport.
Në minutën e 94’të të takimit, Fetahaj arriti ta mposht portierin kundërshtar nga gjuajtja e lirë me një goditje maestrale nga një pozicion aspak i lehtë për të shënuar duke e vulosur kështu epilogun e takimit me fitoren e Lirisë prej 2-1 ndaj Feronikelit.
Fetahaj për GazetaBlic Sport u shpreh i lumtur me golin e tij duke thënë se ishte një gol tejet vendimtar për ecurinë e kampionatit pasi kundërshtari do të shkëputej shumë dhe vazhdimësia e garës do ishte tejet e vështirë.
“Për mua personalisht është një nga golat më të rëndësishëm, pasi edhe ka mundur të mbyllej kampionati ani pse ka ende ndeshje për t’u luajtur, por vazhdimësia e garës do ishte shumë më e vështirë. Ekipi ka nevojë që secili nga ne të jap kontributin e tij edhe me gola vendimtar”, tha Fetahaj për GazetaBlic Sport.
Ai deklaroi se Liria po ka problem në konkretizimin e rasteve duke bërë që skuadra të shihet me formë jo stabile, megjithatë ai u shpreh i bindur që klubi i ka të gjitha cilësitë e duhura për t’u inkuadruar në Superligën e Kosovës.
“Unë mund të them me bindje se po e mposhtim vetëveten, pasi gjithnjë krijojmë raste shënimi, por nuk po i konkretizojmë ato. Kjo gjë bënë që publiku të na shoh si një skuadër me formë të luhatshme, mirëpo pas kësaj ndeshje mendoj se jemi kandidat serioz për Superligë. Gara është e fortë pasi ka skuadra cilësore si Istogu, Rahoveci e Feronikeli, por ne kemi bindjen se mund t’ia arrijmë“, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


