Deputetja e VV-së krahason sulmet ndaj Musliut me shkrimet e mediave se ministret Nagavci e Haxhiu në kohë seancë ishin në ndejë
Deputetja e VV-së, Tinka Kurti, ka thënë se në seancën e fundit të Kuvendit u shumëfishua gjuha seksiste, teksa për këtë thotë se ka fajtorë në seancë, në media dhe në rrjete sociale, raporton Gazeta Blic.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka reaguar pas sulmeve ndaj deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, teksa ka thënë se por nuk mund t’i falë politikanët e t’ia nis nga qytetarët.
Ajo po ashtu ka përmendur fjalimin e deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që thotë se e sulmoi shefen e GP të VV-së, Mimoza Kusari Lila, e më pas përmend mediat që raportuan se ministres Haxhiu e Nagavci kishin dalë në një ndejë në një lokal në kryeqytet, kur në Kuvend po mbahej seanca.
“Me Mimozën, me Ganimeten, me Albulenėn, me Arbërinë”, ka shkruar ndër të tjera ajo, duke shtuar se të gjitha duhet qenë bashkë, për të gjitha gratë e Kosovës.
Postimi i saj i plotë:
Në një seancë të vetme u shumëfishua gjuha seksiste. Fajtorë ka në seancë, në media dhe në rrjete sociale.
Së pari kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e sulmoi kryetaren e Grupit Parlamentar të LV-së Mimoza Kusari – Lilën duke i përmendur moralin. Sa herë që morali u përmendet grave në politikë dihet tendenca dhe nuancat e këtij asociimi. E njëjta nuk ndodhë me burrat.
Së dyti disa prej mediave shkruan se dy ministre paskan dalë në mbrëmje derisa pritet të mbahet vazhdimi i seancës. Nuk është e ndaluar që gratë të dalin. Madje ka aktiviste që e kanë adresuar që prej moti këtë. Kurse deputeti Mërgim Lushtaku po në atë seancë ua përmendi më vonë alkoolin. Edhe kjo dihet që ka rol tjetër kur është fjala për gratë.
Ndërkaq, deputetja Ganimete Musliu po ballafaqohet me komente fyese në fejsbuk dhe media pas një fjalimi në po atë seancë. Dënoj çdo ofendim që cenon integritetin njerëzor.
Tash unë po pyetem se pse nuk po reagoj për komentet ndaj deputetes Musliu. Asnjëherë nuk jam dakord dhe nuk është hera e parë që reagoj por deputeten Musliu por nuk mund t’i fal politikanët e t’ia nis nga qytetarët. Pra, së pari kritikë politikanëve për keqpërdorim të mikrofonit në Kuvend pastaj qytetarëve për fejsbuk.
Me Mimozën, me Ganimeten, me Albulenėn, me Arbërinë.
Ne duhet të jemi të gjitha bashkë, jo veç për veten tonë, por për të gjitha gratë e Kosovës që presim ta zvogëlojmë dhunën, të ndikojmë në punësim e arsim dhe në kushtet e jetës e eksperiencave të grave në përgjithësi.


