Sporti

Manchester United rikthen interesin për De Jong

03/04/2023 11:01
nga:E K

Frenkie de Jong është sërish një objektiv transferimi për Manchester United, por, pasi mesfushori aktualisht është i kënaqur në Barcelonë, nëse ai do ta pranonte largimin mbetet pikëpyetje e madhe.

De Jong ishte zgjedhja numër një e Erik ten Hag verën e kaluar për të forcuar skuadrën e tij, por ai nuk dëshironte të largohej nga klubi katalanas atëherë.

Ndërsa Barça ishte e përgatitur për të shitur për shkak të kufizimeve financiare, holandezi refuzoi të shitet dhe që atëherë ka qenë i rregullt në ekipin e Xavi, duke bërë 32 paraqitje këtë sezon.

Kuptohet se 25-vjeçari nuk po kërkon një lëvizje për momentin edhe pse kjo mund të ndryshojë në fund të sezonit.

Ndërsa prioriteti i Ten Hag është nënshkrimi i një qendërsulmuesi në merkaton e verës, trajneri gjithashtu synon të forcojë repartin e tij të mesfushës për të ofruar konkurrencë për zgjedhjen e parë Casemiro dhe Christian Eriksen dhe mbetet një admirues i fortë i De Jong.