Lajme

Cristopher Hill: Gjëja më urgjente tani është zgjidhja e çështjes së Asociacionit

03/02/2023 18:30
nga:Astrit Gashi

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka vlerësuar sot se Beogradi dhe Prishtina në takimin në Bruksel kanë treguar se janë “shumë seriozë për të ecur përpara”, dhe se çështja e Asociacionit të Komunave Serbe është tani çështja më urgjente, përcjellë GazetaBlic.

“Mendoj se është më urgjente të zgjidhet çështja e Asociacionit dhe për këtë ka disa arsye, njëra prej tyre është se kjo çështje ka 10 vjet që nuk është zgjidhur dhe së dyti, mendoj se nëse fillojmë me të, njerëzit, (serbët në Kosovë) do të kthehen në institucione. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është që të qetësojmë të gjithë situatën, sepse është e nevojshme”, tha Hill për Agjencinë Beta, përcjellë GazetaBlic.

Ai shtoi se duhet ende shumë punë për të bërë, por pjesa më e rëndësishme e punës është zbatimi i marrëveshjes.

Hill tha gjithashtu se të gjithë e kuptojnë se sa e rëndësishme është çështja e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Bashkimi Evropian, siç tha ai, ka investuar shumë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje që ka “rëndësi historike”.

“Është një nga gjërat më të rëndësishme që po ndodh në Evropë tani, nuk mendoj se duam të ecim me një ritëm të ngadaltë, por sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Hill, përcjellë GazetaBlic.