Lajme

Vuçiq refuzoi nënshkrimin e planit, Kurti tregon arsyen: Nuk është pranuar zyrtarisht marrëveshja

03/02/2023 13:52
nga:Genita C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se po keqkuptohen dy dokumentet dhe sipas tij BE-ja e ka propozuar vetëm njërin prej tyre që ka të bëjë me marrëveshjen bazë Kosovë-Serbi, raporton GazetaBlic.

“Shpesh herë ka një keqkuptim sa i përket këtyre dy dokumenteve, BE-ja e ka propozuar zyrtrarisht vetëm njërin dokument, marrëveshjen bazë mes Kosovës dhe Serbisë, plani i zbatimit do të duhet të negociohet dhe negociatat për të nuk kanë filluar ende”, tha Kurti.

Kurti ka dhënë detaje rreth takimit të fundit në Bruksel, ku thotë se ka propozuar që plani franko-gjerman të nënshkruhet, por ka refuzuar pala serbe në nënshkrimin e atij plani.

“Më 27 shkurt isha pjesëmarrës në dy takime, fillimisht me Borrell dhe Lajçak, pastaj edhe me Vuçiqin ku i ofrova BE-së nënshkrimin zyrtar si kryeministër i Republikës të marrëveshjes bazike, që do të duhej ta nënshkruante edhe përfaqësuesi i Borrell dhe Vuçiq, e njejta do të duhej të miratohej në një samit të Këshillit Evropian. Propozimin tim për ta nënshkruar marrëveshjen, e refuzoi menjëherë president serb”, tha Kurti.

Kurti thotë se Serbia refuzoi këtë plan sepse nuk janë dakord me përmbajtjen e tij dhe se nuk është pranuar ende zyrtarisht një plan i tillë.

“Refuzimi i tij ishte i natyrës kategorike, gjë që e bëri publike edhe vet ai pas daljes nga takimi.Qëndrimi i Borrelli është që ky dokument të mos diskutohet më, pra ka një format të finalizuar dhe për këtë arsye e ka publikuar. Të dy palët janë pajtuar me një pozicion të tillë, por nuk nënkupton që palët e kanë pranuar zyrtarisht marrëveshjen. Pranimi bëhet vetëm përmes nënshkrimit të dy palëve.Refuzimi nga ana e Serbisë, tregon që ata nuk janë dakord me përmbajtjen”, tha Kurti në seancën e Kuvendit.

/GazetaBlic/