Lajme

Musa: Në rastin e ish-krerëve të UÇK-së nuk mund të përdoren të njëjtat viktima si në rastin Haradinaj

03/01/2023 20:33
nga:Astrit Gashi

Avokati, Skënder Musa ka komentuar publikimin e emrave të disa viktimave që pretendohet se janë vrarë ose zhdukur në rastin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

Ai ka thënë se këta emra të viktimave janë përdor edhe në rastin kundër Ramush Haradinajt, Idriz Balajt e Lahi Brahimajt nga Tribunali i Hagës. Sipas avokatit Musa, nuk mund të përdoren të njëjtat viktima, në dy procese gjyqësore.

Po ashtu, Musa vlerësoi nuk ka ndonjë pasojë nga publikimi i emrave, pasi siç tha ai, në Kosovë veprojnë mjaftueshëm organet e sigurisë.

“Unë besoj fuqishëm që nuk do të ndodhë asgjë me këta emra të publikuar me familjarët e tyre, për shkak se në Kosovë veprojnë organet e sigurisë mjaftueshëm. Fakti që ish-krerët e UÇK-së, nuk akuzohen drejtpërdrejtë që kanë vrarë ndonjë person, tregon që Prokuroria në mungesë të provave përpiqet të krijojë një opinion kinse ka punuar mirë dhe drejt. Kjo tregon që ky rast nuk është hetuar në mënyrë meritore, sepse nuk mund të përdoren të njëjtat viktima, të njëjtat prova që janë shterë në një proces gjyqësor edhe ndaj personave të tjerë”, deklaroi Musa në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Kujtojmë se në vitin 2011, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi ka liruar nga të gjitha akuzat ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Ata akuzoheshin për “trajtim mizor, torturimin dhe vrasjen e të burgosurve” në atë që quhej “kampi ushtarak i Jabllanicës” në periudhën 1 mars – 30 shtator të 1998.