Kosova dhe Serbia në takimin e 27 shkurtit në Bruksel janë pajtuar për planin evropian për normalizimin e raporteve në mes të dyja vendeve.
Për planin evropian, përfitimet për Kosovën, Asociacionin dhe nenin 7 që po shihet si më problematik, për Gazeta Blic kanë folur nga shoqëria civile.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë për Gazeta Blic se plani është i mirë në aspektin e hapjes së rrugës për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Plani evropian është i bazuar në parimet universale të së drejtës ndërkombëtare ku njihet subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës dhe sovraniteti i saj. Tutje marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë shkojnë në një stad tjetër në mënyrë de facto futemi në raporte ndërshtetërore. Plani është i mirë edhe në aspektin e hapjes së rrugës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare ku Kosova afirmohet edhe më shumë në këtë drejtim”, thotë ai.
Por, ai thekson se ka paqartësi në nenin 7 për vetëqeverisjen e komunitetit serb në Kosovë, që mund të nënkuptojë autonomi të zgjeruar për komunitetin serb në Kosovë.
“Megjithatë, marrëveshja nuk është shumë e qartë sa i përket vetëqeverisjes së komunitetit serb në Kosovë tek neni 7. Ky nen lejon dykuptimësi e që i bie që nëse nuk sqarohet mirë në planin e veprimit dhe implementimit të marrëveshjes, e që mund të nënkuptojë autonomi të zgjeruar për komunitetin serb në Kosovë. Prandaj ka edhe anë problematike kjo marrëveshje. Mungesa më e madhe është që nuk ka njohje de jure të ndërsjellë. Megjithatë, kjo marrëveshje hap rrugë që në të ardhmen të vie edhe njohja de jure, dhe më pozitivja është zhbllokimi i status quos në dialog e që hap shtigje për marrëdhënie të re ndërmjet të dyja vendeve”, vlerëson Fetahu për Gazeta Blic.
Sa i përket deklaratës së Escobar dhe diskutimet për Asociacionin duhet të nisin menjëherë, ati vlerëson se është e pritshme pasi ngecja më e madhe ka qenë te zbatimi i Asociacionit dhe se Qeveria duhet të ketë kujdes në ruajtjen e partneritetit me SHBA-të.
“Deklaratë e pritshme, sidoqoftë nuk është asociacioni çështja e vetme e kësaj marrëveshjeje. Për SHBA-të është e rëndësishme që plani i implementimit të marrëveshjes të mos ketë ngecje, e që deri tash ngecja më e madhe është paraqitur me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin. Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme ne ruajtjen e partneritetit me SHBA-në dhe aleatët e tjerë”, deklaron Arbër Fetahu nga GLPS.
Ndërsa, Voleta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Gazeta Blic propozimi ka ardhur që të krijojë stabilitet dhe është e ngjashme me marrëveshjen mes dy Gjermanive e vitit 1972.
“Propozim marrëveshja Evropiane për Kosovën dhe Serbinë, është edhe një marrëveshje e radhës mes palëve, e cila erdhi kryesisht si rezultat i krizës brenda Kosovës dhe në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Ky propozim ka ardhur me qëllim që të stabilizohet kjo situatë dhe në mënyrë që mos të prodhohen kriza të tilla në të ardhmen. Marrëveshja për nga forma dhe përmbajtja është shumë e ngjashme me marrëveshjen mes dy Gjermanive e vitit 1972. Meqë nuk ka pasur gatishmëri nga ana e Serbisë për të lëvizur drejt njohjes reciproke, besoj formati i marrëveshjes së dy Gjermanive është parë nga ndërmjetësit ndërkombëtarë si formula më e mundshme në këtë moment për të rregulluar raportet Kosovë-Serbi, si dy shtete që nuk e njohin njëra tjetrën por nuk duhet ta pengojnë njëra tjetrën”, potencon ajo.
Sipas Haxhollit, në marrëveshje janë përfshirë çështje nga e kaluara që Kosova e Serbia ende nuk kanë arritur t’i zbatojnë dhe këtu i janë bërë obliguese.
“Në këtë marrëveshje shihet se janë përfshirë shumë çështje nga e kaluara për të cilat Kosova dhe Serbia ose ende nuk kanë arritur dakordime, ose për disa tema, edhe pse kanë arritur dakordime/marrëveshje, ato nuk janë zbatuar ende. Prandaj ato janë ripërsëritur si obligime të palëve edhe në këtë Propozim Evropian”, shprehet ajo për Gazeta Blic.
Ajo thekson se ka çështje që duhet të sqarohen më tutje në planin zbatohet dhe t’i përmbahen atij.
“Në përmbajtjen e këtij Propozimi ka disa çështje që mbeten të sqarohen tutje në Planin Zbatues i cili pritet të diskutohet në javët në vijim. Këtu pikërisht do të jetë sfida e madhe e palëve, që fillimisht të arrijnë dakordim për Planin e Zbatimit dhe t’i përmbahen atij Plani. Kjo duke pasur parasysh që marrëveshjet e kaluara të dialogut ndonëse kanë pasur plane të zbatimit dhe afate të përcaktuara, palët nuk u janë përmbajtur atyre”, thekson Violeta Haxholli.
Sipas saj, plani është pozitiv për Kosovën nëse zbatohet nga ana e Serbisë, ndërsa shton se sfida është Asociacioni, të cilit institucionet e Kosovës duhet t’i qasen me maturi dhe duke zbatuar udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Propozimi është pozitiv për Kosovën nëse zbatohet nga ana e Serbisë në pikat ku parashihet që Serbia të respektojë pavarësinë e Kosovës dhe mos ta pengojë Kosovën në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtarë. Sa i përket aspektit të brendshëm, sfida e Kosovës është çështja e Asociacionit të komunave, të cilit institucionet e Kosovës duhet t’i qasen me maturi, me gjuhë konstruktive dhe në bashkëpunim me komunitetin serb, në frymën e ruajtjes së karakterit multietnik të shtetit të Kosovës, dhe duke zbatuar udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese”, deklaron Violeta Haxholli nga KDI./Gazeta Blic/