Lista Serbe ka bërë të ditur se vendimi i Gjykatës së Apelit në Prishtinë që dënon Ivan Todosijeviqin me një vit burg për qëndrimin e tij të deklaruar publikisht “është i turpshëm, i paligjshëm dhe antiserb dhe se është dëshmi që tregon kushtet në të cilat jetojnë serbët në Kosovë janë në të përafërta me aparteidin, nën udhëheqjen e Albin Kurtit.
“Përderisa komuniteti ndërkombëtar hesht, Prishtina në shekullin e 21-të po zbaton deliktin verbal, natyrisht ndaj një serbi, sepse ai është serb. Sigurisht, për mijëra fyerje dhe kërcënime të shëmtuara që serbët në këto zona dëgjojnë çdo ditë , si në rrugë, ashtu edhe nga mediat dhe institucionet publike, dhe nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës që e shpallin popullin serb si kriminel, vrasës, përdhunues, gjenocidal, nuk ka asnjë proces gjyqësor apo dënim sepse sulmi kundër serbëve me sa duket është i lejuar në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Ata shtojnë se ekipi ligjor i Todosijeviqit e bëri punën e tyre më shumë sesa profesionalisht për të dëshmuar se liria e fjalës dhe e mendimit është e garantuar për të gjithë, përfshirë edhe atë, por se ky është qartë një proces politik në të cilin ligji dhe drejtësia nuk kanë asnjë mundësi për të fituar.
“Vetë fakti që aktgjykimi u publikua në media, por nuk iu dorëzua avokatëve apo zotit Todosijeviq, tregon se ky është një aktgjykim që synon të frikësojë popullin serb dhe t’i dërgojë një mesazh të gjithëve që të heshtin dhe të vuajnë“, theksoi Lista Serbe.
Ata kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare, në radhë të parë Bashkimi Evropian, ambasadat e vendeve të Quintit, OSBE-ja, EULEX-i dhe UNMIK-u që të reagojnë sa më shpejt dhe të vënë në dukje shkeljen e të drejtave të popullit serb dhe Ivan Todosijeviqit.
“Është detyrë e tyre të sigurojnë respektimin e të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve, duke përfshirë respektimin e sundimit të ligjit, dhe përgjegjësia e tyre është edhe më e madhe të reagojnë dhe të ndalojnë këtë linçim të motivuar politikisht ndaj të cilit ishte ekspozuar miku dhe kolegu ynë, Ivan Todosijeviq”, thuhet në njoftim.


