Lajme

Analistët: Marrëveshja pa njohje, Asociacioni obligim ndërkombëtar – dy problematikat e planit evropian

02/28/2023 21:14
nga:G B

Kosova dhe Serbia janë pajtuar dje në Bruksel për planin franko-gjerman, për normalizim të raporteve në mes të dyjave vendeve.

Kryeministri Albin Kurti tha se ai ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë planin, por që pala serbe nuk ka qenë e gatshme.

Ndërsa, presidentit Vuçiq tha se ka insistuar për Asociacionin, por që ka kundërshtuar Kurti.

Palët do të vazhdojnë dialogimin për zbatimin e planit nga mesi i muajit mars.

Lidhur me takimin e marrëveshjen, për Gazeta Blic kanë folur analistët.

Profesori Arben Fetoshi thotë se pajtimi për këtë propozim është i rëndësishëm për zhbllokim të proceseve të Kosovës.

“Dakordimi për propozimin europian është hap i rëndësishëm për efektet që do të duhej të krijojë në zhbllokimin e proceseve të Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe njohjen nga shtetet që kanë hezituar, sidomos ato të Bashkimit Europian”, thotë ai për Gazeta Blic.

Sipas Fetoshit, marrëveshja nuk ka njohje nga Serbia por përmban dispozita për njohje ‘de facto’ të Kosovës.

“Është marrëveshje e ndërmjetme pa njohje nga Serbia për shkak të “mirëkuptimit” të faktorëve ndërkombëtarë ndaj presidentit Vuçiq në rrethanat aktuale gjeopolitike, por përmban dispozita të qarta që përcaktojnë njohjen de facto të Kosovës”, thekson ai.

Si problematike profesori i sheh formulimet “nivel i duhur për vetë-menaxhimin” dhe “mbrojtje e fortë” për objektet e Kishës Ortodokse Serbe.

“Përndryshe, aspektet problematike mendoj se janë formulimet “nivel i duhur për vetë-menaxhimin” dhe “mbrojtje e fortë” për objektet e Kishës Ortodokse Serbe”, shton ai.

Ndërsa, sa i përket mesazhit të Escobar se themelimi i Asociacionit duhet të diskutohet sa më parë, sipas Fetoshit tregon sfidën më të vështirë për Kosovën dhe se do të ketë presion të madh ndërkombëtar për përmbushjen e këtij obligimi, por që s’duhet lejuar të ketë autonomi për komunat serbe.

“Mesazhi i të dërguarit amerikan për të filluar urgjentisht krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe tregon për sfidën më të vështirë të Kosovës në këtë proces, e cila implikon edhe aspektet problematike që përmenda më sipër. Në kuptim të efekteve të marrëveshjes së dakorduar, Kosova do të ketë presion të madh për përmbushjen e këtij obligimi, megjithëse s’duhet të lejojë në asnjë mënyrë autonomi territoriale për komunat me shumicë serbe dhe as ekstra-territorialitet për objektet kishtare”, deklaron Arben Fetoshi për Gazeta Blic.

Ndërsa, analisti politik, Halil Matoshi, thotë për Gazeta Blic se Asociacioni është obligim ndërkombëtar i Kosovës.

“Asociacioni është obligim ndërkombëtar i Kosovës, sipas marrëveshjes së vitit 2013, që nuk ka qenë subjekt i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës më 84 vota dhe si i tillë, me automatizëm është bërë pjesë e sistemit të brendshëm ligjor”, thekson ai.

Sipas tij, shtet i dështuar është ai që nuk i zbaton marrëveshjet ndërkombëtare dhe se ato ose zbatohen ose anulohen, nuk ka rrugë tjetër.

“Shteti që nuk i zbaton marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet e veta cilësohet në praktikat ndërkombëtare shtet i dështuar. Marrëveshjet Ndërkombëtare sipas protokollit të Vjenës ose zbatohen ose anulohen sipas të njëjtës procedurë në Kuvend. Rrugë të tretë nuk ka. Abrogimi i asaj Marrëveshje përcillet me izolim dhe sanksionim”, deklaron Halil Matoshi për Gazeta Blic.

Në anën tjetër, analisti politik Gazmir Raci, thotë për Gazeta Blic se Kosova vazhdon të jetë në koherencë me qëndrimin pro planit evropian dhe se Serbia ishte ajo që deshi ta sabotonte atë.

“Kosova vazhdon të jetë në koherencë të plotë me qëndrimin që e pati deklaruar që nga fillimi që ishin pro planit të BE-së, e për të cilin edhe dje e rikonfirmoi KM Kurti. Ishte Serbia ajo që dëshironte që në çastet e fundit ta sabotonte arritjen e pajtimit duke tentuar përsëri që ta theksojë si pikë të veçantë Asociacionin në kuadër të planit të BE-së dhe nuk ia arriti falë këmbëngulësisë së Kosovës”, vlerëson ai.

Sipas Racit, Kosova me këtë plan i ka pranuar të gjitha obligimet dhe nuk ka shqetësim për Asociacionin pasi e kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se nuk do të ketë pushtet të tretë në Kosovë.

“Me këtë plan Kosova po ashtu i ka pranuar edhe të gjitha obligimet që dalin nga e kaluara e këtij dialogu dhe nuk ka vend për shqetësim sepse e kemi edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e po ashtu është edhe letra e Mogherinit drejtuar ish-Kryeministrit Mustafa kur rikonfirmon se Asociacioni nuk do të jetë pushtet i tretë në Kosovë dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, deklaron analisti Gazmir Raci./Gazeta Blic/

 

Kurti mbledh Grupin Parlamentar të VV-së, flet për takimin me Vuçiqin dhe planin franko-gjerman