Lajme

Kupchan për takimin në Bruksel: Takimi ishte i suksesshëm, dy palët u pajtuan me elementët kryesore të dokumentit

02/28/2023 18:13
nga:Astrit Gashi

Analisti i Këshillit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë, Charles Kupchan, duke komentuar takimin mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se megjithëse ata që prisnin një nënshkrim marrëveshjeje të hënën mund të jenë zhgënjyer, takimi ishte i suksesshëm, pasi të dyja palët kanë rënë dakord me elementët kryesorë të dokumentit, përcjellë GazetaBlic.

“Mendoj se mund të thuhet me siguri se pavarësisht mungesës së një firme, gota është më shumë se gjysëm plot. Unë do të thoja se është tre të katërtat plot.Askush nuk mund ta dijë se çfarë do të ndodhë më tej, por unë mendoj se palët kanë shënuar një pikë të rëndësishme kthese politike. Ato po shkojnë drejt vijës së finishit”, thotë ai për Zërin e Amerikës, përcjellë GazetaBlic.

Dhe vija e finishit për të është njohja zyrtare e Kosovës nga Serbia.

“Mendoj se serbët e dinë se duhet të bëjnë njohjen zyrtare të Kosovës si hapin e fundit përpara hyrjes në Bashkimin Evropian. Kështu që unë e shoh këtë si një proces me faza ku dokumenti që u publikua në Bruksel detajon se si do të zhvillohet faza e parë”, thotë Kupchan.