Sekretari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, në një prononcim për GazetaBlic thotë se takimi i djeshëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq, është i dështuar.
Sipas Klinakut informacion i ri është vetëm publikimi zyrtar i planit franko-gjerman.
“Takimin e djeshëm, përkundër zhurmës së madhe, si para, ashtu edhe pas takimit, e shohë si të dështuar. E re është vetëm publikimi i planit evropian, i cili deri më tani nuk është pranuar si zyrtar”, tha Klinaku.
Klinaku shtoi se tashmë është e ditur që Serbia e ka problem planin franko-gjerman, ndërsa Kosova e ka problem formimin e Asociacionit.
Sipas Klinakut, takimi i djeshëm Kurti-Vuçiq përfundoi pa asnjë rezultat.
“Nuk pati nënshkrime e as pajtushmëri për zbatim të planit. Ka kohë që dihet se Kosova do të pajtohet me planin evropian, por këtë do ta ketë problem Serbia. Ndodhi kështu edhe mbrëmë. Ka kohë që është ditë se Kosova do ta ketë problem asociacionin e Serbia do të insistoj në të! Pozicionet janë pothuajse të njëjta me ato para takimit. Prandaj po them që nuk kemi diçka të re dhe takimi i mbrëmshëm ka qenë pa rezultate”, tha Klinaku për GazetaBlic.