Drejtori i televizionit Klan Kosova, Adriatik Kelmendi, thotë se takimi trepalësh mes përfaqësuesve të BE-së, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, është duke vazhduar përtej dinamikës së paraparë.
Kelmendi, nga Brukseli, tha se meqë pala kosovare dhe ajo serbe kanë deklarime të kundërta për Asociacionin po bën që takimi trepalësh të vazhdojë ende.
“Siç kemi raportuar edhe më herë që të dyja palët kanë ardhur në Bruksel pasi në mënyrë parimore i kanë thënë po planit evropian. Është duke u diskutuar se si do të duket ky aneks dhe duke ditur se të dyja palët kanë ardhur me deklarime të kundërta për Asociacionin dhe si duket se kjo çështje është duke i mbajtur më gjatë dhe takimi po vazhdon përtej dinamikës së paraparë”, tha Kelmendi.
Mes tjerash, ai tha se palët në takim janë duke negociuar në detaje për planin evropian.
“Palët janë duke negociuar në detaje për aneksin. Ka disa çështje nga pala kosovare që insistohen si njohja e diplomave, çështja e lirisë së lëvizjes dhe ka cështje tjera për të cilat insiston pala serbe sic është Asociacioni”, u shpreh Kelmendi.
Kelmendi, mes tjerash, foli edhe për njohjen ‘de-facto’ dhe përfshirjen amerikane në këtë takim pas në Bruksel gjendet edhe emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Nuk e dimë se sa nga kushtet e marrëveshjes janë të plotësueshme, por sot asnjë nuk thotë se njohja reciproke është në tavolinë, por flitet për njohje ‘de-facto’”.
“Edhe nëse sonte nuk kemi pajtueshmëri për gjithçka të mos themi se s;ka marrëveshje pasi plani franko-gjerman është çështje që nuk diskutohet më, por ka çështje brenda tij që duhet diskutuar”.
“Pa amerikanët nuk do të ndodhte ky takim dhe pa amerikanët nuk do ta kishim këtë dinamikë sot. Proceset kanë marrë dinamikën e duhur kur ka pasur përfshirje amerikane e kjo është dëshmuar disa herë që nga Rambujeja e deri tek pavarësia e themelimi i ushtrisë së Kosovës”, tha Kelmendi.


