Skuadra e Ferizajt është në një formë fantastike që nga fillimi i sezonit pranveror në Superligën e Kosovës në futoll. Ata kanë arritur të mposhtin Dritën e Prishtinën, duke rikuperuar kështu një pozitë në tabelë, pra nga vendi i fundit në atë të parafundit dhe duke hyrë seriozisht në garë për t’iu larguar pozitave të rrezikshme.
Në ndeshjen ndaj Dritës në fundjavë (2:1), futbollisti Albin Krasniqi shkëlqeu me paraqitjen e tij, ku dha dy asistime, vrapoi 11 kilometra dhe tregoi cilësitë që posedon.
Krasniqi thotë se është mjaft i lumtur që skuadra e Ferizajt ka nisur mirë sezonin pranveror, teksa shton se atmosfera dhe motivimi janë në nivel të lartë.
“Jemi shumë të lumtur me paraqitjet e deritanishme duke e pas parasysh orarin që e kemi pas shumë të vështirë dhe mendoj që nga këto katër ndeshje kemi nxjerr maksimumin. Atmosfera në klub është shumë e mirë dhe jemi të motivuar shumë për ndeshjet në vazhdim”, tha fillimisht Albin Krasniqi për ‘GazetaBlic Sport’.
Në xhiron e 23’të të Superligës së Kosovës, Ferizaj udhëton në “Bajram Aliu”, ku do të ballafaqohet me Drenicën e vendit të fundit, pra rivalin direkt për mbijetesë.
Krasniqi potencon se do jetë ndeshje e fortë – dhe se lojtarët janë të vetëdijshëm për këtë gjë.
“Është e vërtetë që kemi mposht dy skuadra të cilat janë ndër më të mirat në ligën tonë (Prishtina dhe Drita), por jemi të vetëdijshëm që tani do shkojmë në një terren shumë të veshtirë në Drenicë dhe e dijmë që ndeshjet si vendas klubi i Drenicës luan futboll të mire dhe presim një ndeshje të fort”, përfundoi ai.
Kujtojmë se Federata e Futbollit të Kosovës ka shpallur Albin Krasniqin “Yllin e Javës” gjatë ditës së sotme pas paraqitjes fantastike të futbollistit në javën që kemi lënë pas.
/GazetaBlic Sport


