Lajme

Kundërshtimi i Asociacionit dhe pranimi i planit franko-gjerman, pritjet nga takimi i nesërm Kurti-Vuçiq në Bruksel

02/26/2023 22:57
nga:G B

Reagime të shumta pro e kundër takimit të nesërm në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Lidhur me këtë, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë për Gazeta Blic se është i pritshëm miratimi i marrëveshjes franko-gjermane dhe se kjo nuk po realizohet pasi u zbatuan kushtet e VV-së, as sa ishte në opozitë e as tani në pushtet.

“Miratimi i Marrëveshjes franko-gjermane, është e pritshme. Kjo marrëveshje as u realizua pasi u zbatuan kushtet e Vetëvendosjes sa ishte në opozitë e as kushtet pasi erdhi në pushtet. Marrëveshja franko-gjermane, nuk i ka të përmbledhura e as të paketuara brenda zotimet e Vetëvendosjes. E besoj, kishte dhe ka presion, por, të shpëtohet çka mund të shpëtojmë”, thotë ai.

Sipas Lladrovcit, Zajednica është e njëjtë me Asociacionin dhe se ai nuk duhet të formohet.

“Askush nuk i ka dy hektar fytyrë. Jo “Zajednicë”, jo asociacion, por komuna me vetëqeverisje lokale…jo buka po kulaçi”, deklaron kryetari i Drenasit për Gazeta Blic.

Madje, ai ka kujtuar se VV ka kundërshtuar Rambujenë, Shpalljen e Pavarësisë, simbolet e shtetit dhe se e çdo lider e ka quajtur tradhtar.

“Për këto vite, sa ishte opozitë kjo parti, tha e çka nuk tha, shau çdo lider e parti, duke i quajtur: “të shitur, tradhtar, Esat Pashë, hajna, peshq të mëdhenj të korrupsionit, krim i organizuar, shkatërruesit e Kosovës”, e lloj-lloj epiteti sa vet shtypi i verdhë i Beogradit me ua pasur lakmi”, shprehet ai.

Ndërsa, analisti politik, Halil Matoshi, thotë se Kurti nënshkruan marrëveshje me Serbinë pa njohje dhe me Asociacion brenda.

“Albin Kurti ashiqare nënshkruan një Marrëveshje me Serbinë, pa njohje de jure dhe me Asociacionin brenda saj (pika 7, sipas versionit që ka rrjedhë në publik) dhe bën mirë, sepse Kosova nuk ka prodhuar më shumë alternativa zgjidhjeje në koordinim me aleatët, por e ka gjetur veten si palë destruktive karshi Vuçiqit bashkëpunues me Perëndimin, të cilit mosnjohja e Kosovës në qendër iu dha yst – për vendosjen e sanksioneve Rusisë”, thotë ai për Gazeta Blic.

Ai thotë se Kurti duhet ta pranojë planin franko-gjerman dhe të heshtë pasi nuk është për punë shteti.

“Të gjithë kosovarët duhet t’i thonë Albinit të tyre të dashur, ec prano planin franko-gjerman (si plan paqeje të rifituar?) dhe hesht si peshku, se nuk qenke për punë shteti! Rruga nuk ndërton shtet – shteti ndërton rrugë”, deklaron Matoshi./Gazeta Blic/

Takimi i nesërm/ Eksperti amerikan: Nënshkruhet plani franko-gjerman, njohja nga Serbia nuk ndodhë derisa Putin është në pushtet

Deputeti i PDK-së: Kurti nesër nënshkruan marrëveshje të rrezikshme, tri detyrimet për Kosovën