Për më shumë se gjashtë muaj, disa klinika në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) vazhdojnë të udhëhiqen me ushtrues detyre. Ndërsa në disa klinika ku janë emëruar drejtorë, ka probleme me ligjin ose akuza për emërime politike.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, mosemërimin e drejtorëve i sheh si mundësi për t’i kontrolluar dhe shantazhuar ata. Thotë se fajin kryesor e kanë Bordi i ShSKUK-së dhe Ministria e Shëndetësisë.
“Është papërgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë dhe e Bordit të ShSKUK-së që tani e më shumë se 6 muaj ka shumë pozita udhëheqëse të cilat janë me ushtrues detyre kjo është njëfarë forme për t’i kontrolluar dhe për t’i shantazhuar ushtruesit e detyrës, për t’i pasur impakt edhe Bordi i ShSKUK-së edhe Ministria e Shëndetësisë tek këta udhëheqës në sektorin e shëndetësisë”, u shpreh Haxhiu.
Sipas tij, prioritet i Qeverisë për sektorin e shëndetësisë është bërë më shumë si biznes. Ai konsideron se ka pasur edhe emërime me baza partiake.
“Sigurisht zbatimi i ligjit, sepse duhej të shpallej konkurs dhe të zgjidheshin sipas konkursit sipas ligjit për shëndetësi apo sipas statutit të ShSKUK-së dhe tek shumica e këtyre rasteve kemi pasur emërime politike ose zgjedhje politike, joprofesionale dhe të bazuara në aspektin profesional”, tha Haxhiu.
Ndërsa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, ka thënë se krahas klinikave që janë me ushtrues detyre, mungojnë edhe shërbimet esenciale.
“Po fillimisht kjo është padrejtësi ndaj palëve që shkojnë në këto shërbime sepse tanimë e dimë që shërbimet esenciale mungojnë në spitalet tona dhe në QKMF tona, dhe është e padrejtë që do të mbeten me ushtrues detyra pozita menaxheriale dhe pozita të rëndësishme të cilat i ndihmojnë dhe i shërbejnë qytetarët tanë”, u shpreh ajo./EO/


