Lajme

Vuçiq për takimin e së hënës: Të bëjmë hapa të mëdhenj përpara

02/24/2023 14:16
nga:N M

Takimi i 27 shkurtit po afrohet, teksa në Bruksel pritet të dalin përballë njëri-tjetrit Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq.

Ndërmjetësuesit evropianë, Josep Borell e Miroslav Lajçak, kanë dhënë fjalë të mëdha për takimin, duke e quajtur si historik.

Dy ditë para takimit në Bruksel, presidenti i Serbisë Vuçiq ka lëshuar një deklaratë. Në një postim në Instagram, Vuçiq ka shkruar se duhet të ruhet paqja dhe stabiliteti.

“Ne duhet të ruajmë paqen, stabilitetin dhe të bëjmë hapa të mëdhenj përpara”, shkroi Vuçiq.

Në prag të takimit të së hënës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut në nivel të lartë, në Bruksel janë shprehur se presin që ata, pa diskutime të mëtejme, ta pranojnë propozimin evropian dhe të diskutojnë vetëm për implementimin e marrëveshjes.

Këtë e ka thënë një zyrtar i lartë evropian, duke folur me gazetarët në Bruksel, me kusht anonimiteti, ka shkruar më herët REL.

“Do të jetë takimi i gjashtë me radhë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Por, do të jetë takimi më i rëndësishëm deri më tash sepse takimet e fundit ishim më shumë për menaxhimin e krizave, sesa për normalizim të raporteve. Tash fokusi është te propozimi evropian”, ka thënë ky zyrtar.

“Presim që liderët ta miratojnë propozimin. Nuk duam që të diskutojmë për propozimin dhe përmbajtjen e tij sepse ata e dinë që nga shtatori këtë. Nuk ka hapësirë që të pajtohen për një pjesë e jo për tjerat. Por, jemi të hapur për të diskutuar modalitetet e implementimit”, ka deklaruar ky zyrtar.