Lajme

Ristuccia: KFOR-i nuk ka dëshmi për praninë e Wagnerit në Kosovë

02/24/2023 13:59
nga:Astrit Gashi

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, tha se misioni nuk ka dëshmi për praninë e grupit ushtarak privat rus Wagner në Kosovë, as se Rusia mund të sulmojë Kosovën përmes Serbisë.

“Për momentin, ne nuk kemi asnjë dëshmi për këtë. Do të jem më i saktë, të gjitha ngjarjet në zonë që kanë ndodhur në muajt, javët e fundit, janë më shumë të lidhura me dinamikën e brendshme sesa me ndikimet e jashtme,” tha Ristuccia për Kossev, përcjellë GazetaBlic.

Ai e vlerëson situatën aktuale në Kosovë si të ndjeshme dhe të paqëndrueshme, por ende paqësore dhe dukshëm më të mirë se sa ishte në dhjetor.

“Mund të themi se situata tani është shumë më e mirë se sa ishte në dhjetor. Megjithatë, ka një sërë çështjesh që na shqetësojnë, siç është, për shembull, vakuumi i rrezikshëm që është krijuar në veri pasi serbët e Kosovës dhanë dorëheqje nga institucionet”, theksoi Ristuccia.

Ai vakum është shumë i rrezikshëm, veçanërisht nga pikëpamja e sigurisë, tha komandanti i KFOR-it.

I pyetur nëse është në rregull për KFOR-i që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të ndërtojnë baza në veri të Kosovës, Ristuccia tha se e kupton kur autoritetet e Kosovës shprehin shqetësimin për çështjen e grupeve të organizuara kriminale dhe këtë në një situatë të largimit të policëve nga shërbimi, por që për diçka të tillë nevojitet bashkëpunimi me popullatën, i cili mungon për shkak të mungesës së besimit.

“Dikush duhet të kujdeset për krimin dhe në interes të qytetarëve. Pra, problemi i vërtetë qëndron në pranimin e Policisë së Kosovës në mesin e qytetarëve, sidomos në këtë situatë. Dhe përsëri i kthehemi faktit se problemi kyç qëndron në mosbesim”, tha ai.

Komandanti i KFOR-it mohon pretendimet në veri se bazat e policisë po shfaqen shndërrohen “kazerma ushtarake”.

“Këto janë baza policore të Kosovës – jo baza ushtarake. Ne kemi dëshmi të qarta se vetëm oficerë të policisë së Kosovës janë vendosur atje. Kjo është e qartë. Këto nuk janë baza ushtarake.”, shtoi Ristuccia.

Dialogu është mjeti i vetëm për zgjidhjen e çështjeve të hapura, përfundoi komandanti i KFOR-it.