Lajme

Njohësit e drejtësisë: Çështja ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk pritet të ketë epilog të shpejtë, mund të zgjasë edhe pas 2025-ës!

02/22/2023 18:34
nga:Y I

Që nga nëntori i vitit 2020 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë si të akuzuar për krime lufte.

Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy vite nga arrestimi i tyre, procesi gjyqësor nuk ka filluar ende.

Nga Gjykata Speciale kanë konfirmuar ditë më parë se ky proces pritet të nisë me datën 3 prill.

Por pse ka vonuar kaq shumë fillimi i gjyqit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së?

Medina Kadriu, Hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi ka thënë për “Gazeta Blic” se me gjithçka është parë deri tani nga konferencat përgatitore, çështja ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk pritet të ketë epilog të shpejtë.

Kadriu ka thënë se vetëm paraqitja e çështjes së prokurorisë do të zgjasë deri në prill të vitit 2025.

“Fatkeqësisht me aq sa është parë deri tani, i njëjti nuk do të ketë epilog të shpejtë. Vetëm paraqitja e çështjes së prokurorisë do të zgjasë deri në prill të vitit 2025, ku më pas pasohet me paraqitjen e çështjes së mbrojtjes, marrjen e vendimit të trupit gjykues dhe sigurisht pavarësisht vendimit që do të merret, njëra palë do të atakojë aktgjykimin nëse nuk është e kënaqur, çka më tej do t’i nënshtrohet rasti shqyrtimit edhe në Gjykatën e Apelit”, deklaroi Kadriu për “Gazeta Blic.

Kadriu ka theksuar gjatë konferencave të mbajtura se ka pasur polemika të shumta mes mbrojtjes e prokurorisë  pasi mbrojtja ka akuzuar prokurorinë se nuk po përmbush obligimet e saj për nxjerrjen e provave materiale.

“Paraprakisht, para njoftimit se dosja gjyqësore është gati për t’i kaluar trupit gjykues dhe para caktimit të trupit gjykues, në këtë rast është zhvilluar procedura paraprake, e cila ka zgjatur 27 muaj e 17 ditë, ku janë mbajtur 16 konferenca për ecurinë e çështjes, pa përfshirë këtu edhe paraqitjet e para të të akuzuarve para gjyqtarit paraprak, ku mohuan fajësinë në vitin 2020 dhe paraqitjet e tyre pasi që u ngritën akuza të reja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në tre lokacione të tjera”

“Në konferencat në fjalë është bërë organizimi i shkëmbimeve mes palëve, ndërmarrja e hapave të nevojshme që mundësojnë përgatitjet për fillimin e gjykimit, rishikimi i ecurisë së çështjes dhe padyshim që çështja nuk ka mundur të kalojë te trupi gjykues pa evidentuar gjykatësi paraprak se e njëjta është gati, se mbrojtja është pajisur me provat, se janë përfunduar përkthimet dhe hapa të tjerë që janë të nevojshëm para gjykimit”

“Të njëjtat janë përcjellë me polemika të shumta mes mbrojtjes e prokurorisë pasi mbrojtja ka akuzuar prokurorinë se nuk po përmbush obligimet e saj për nxjerrjen e provave materiale, se po i nxjerr me vonesë të njëjtat, se po vonohen përkthimet në gjuhën amtare të të akuzuarve të provave në fjalë, derisa prokuroria ka insistuar se është duke përmbushur obligimet e saj” deklaroi Kadriu për “Gazeta Blic”


Medina Kadriu, Hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi

Avokati i licensuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës, Skënder Musa, tha për “Gazeta Blic” se ky proces në fazën e hetimeve ka zgjat jashtëzakonisht shumë.

Musa tutje theksoi se sa i përket procedurës, ajo është paraparë që të zgjasë diku rreth 5 vite me mundësi që të vazhdojë edhe më tepër.

“Zgjatja e procesit në fazën e hetimeve ka zgjat jashtëzakonisht shumë. Në mënyrë të veçantë ka zgjat në procedurë paraprake për shkak se Prokuori Special si ka kry hetimet përpara se të arrestohen ish-krerët e UÇK-së dhe kjo zgjatje në procedurë paraprake ka qenë e stërzgjatur me formalitete ndoshta të tepruara. Mirëpo duhet të merret parasysh edhe natyra e veprave penale për të cilat akuzohen, shkresat e lëndës, përgatitja e të gjitha palëve në procedurë duke përfshirë të akuzuarit mbrojtësit e tyre dhe Prokurorin.Megjithatë është zgjatë procesi jashtë asaj që duhet të kishte qenë një procedurë në rrjedha normale. Sa i përket procedurës, ajo është paraparë që të zgjasë diku rreth 5 vite me mundësi që të vazhdojë edhe më tepër” deklaroi Musa për “Gazeta Blic”

Musa ka potencuar se duhet të krijohen kushtet që ata të mbrohen nga liria.

“Një çështje që është tepër e rëndësishme është që të krijohen kushtet që ata të mbrohen nga liria dhe të ketë siguri që ata nuk do të ndikojnë dëshmitarët në prova materiale në mënyrë që t’u jepet mundësia të mbrohen në liri dhe të mos rrinë pa arsye në paraburgim. Në Kosovë nuk ka patur raste të kanosjes së dëshmitarëve dhe nuk ka patur asnjë lloj tentimi për aq sa ne kemi njohuri me ndiku në proces gjyqësor me shkatërru provat etj” deklaroi Musa raporton Gazeta Blic.

Skënder Musa, Avokat

Prokuroria e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, ka bërë të ditur se deri më tani ka siguruar mbi 300 dëshmitarë në rastin kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi.

Sipas Prokurorisë, në procesin e gjykimit do të përmenden mbi 40 vende ku pretendohet të jenë kryer krimet.

/Gazeta Blic/

Prokuroria: Mbi 300 dëshmitarë në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së

Specialja cakton katër seanca gjyqësore gjatë muajit prill ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit