Në rigjykim, i akuzuari për korrupsion Haki Kartallozi, ka vendosur që të mbrohet në heshtje përballë akuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Këtë deklarim i njëjti e dha në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore, i akuzuari Haki Kartallozi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Kartallozi deklaroi se nuk ka çfarë të shton as çfarë të mungon, pasi që sipas tij, deri më tash kishte deklaruar dhe dhënë mbrojtjen disa here, dhe e shfrytëzoi të drejtën për tu mbrojtur në heshtje.
Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Kartallozi, avokati Gëzim Kollqaku, kishte dërguar gjykatës një parashtresë ku kishte tërhequr propozimin e seancës se kaluar që si dëshmitarë të dëgjohet eksperti i IT-së, por i njëjti kishte propozuar që të lexohen deklaratat e dhëna më herët.
Ai gjithashtu në parashtresë kishte bashkangjitur dhe aktemërimin si provë, ku seancën e kaluar prokurori Ersan Qavolli e kishte kërkuar të nënshkruar dhe të vulosur nga organet kompetente.
Tutje, prokurori Qavolli nuk e kundërshtoi tërheqjen e mbrojtësit si dhe u pajtua edhe ai po sikurse në seancën e kaluar që deklaratat e ekspertit të lexohen si provë.
Më tej, prokurori propozoi që seanca e sotme të shtyhet për të vazhduar më fjalën përfundimtare pasi që i njëjti ishte përgatitur për marrjen në pyetje të dëshmitarit.
Këtë propozim nuk e kundërshtoi mbrojtja si dhe u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, e ku seanca e radhës u caktua për 27 shkurt të këtij viti.
Ndryshe, Haki Kartallozi më 1 prill 2022, ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë, me 1 vit burgim dhe 1 mijë euro gjobë, pasi iu rikualifikua vepra penale në “Hyrje në sisteme kompjuterike”.
Por, Gjykata e Apelit këtë rast e ktheu në rigjykim, me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë kishte bërë tejkalim të aktakuzës, sa i përket identitetit objektiv si dhe subjektiv, ku sipas vendimit, aktakuza e ngarkonte të akuzuarin se kishte vepruar në cilësinë e personit zyrtar, e që kjo rrethanë e cilësisë se kryerësit të veprës penale i atribuohet si identitet subjektiv, edhe identitetit objektiv, përkatësisht rrethanave që pretendohej nga ana e prokurorisë në aktakuzë.
Për këto arsye, Gjykata e Apelit ka konstatuar se aktgjykimi nuk i referohet aktakuzës, as në aspektin subjektiv e as në aspektin objektiv, në kontekst të kësaj vepre penale që është pretenduar në aktakuzë, që rrjedhimisht kjo përbën shkelje me karakter absolut të dispozitave të KPP-së.
Ndryshe, Haki Kartallozi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 6 muaj burg, edhe më 2 dhjetor 2019. Mirëpo, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim më 15 tetor 2020.
Sipas aktakuzës së ngritur më 10 nëntor 2017 dhe të ndryshuar më 27 nëntor 2019, Haki Kartallozi akuzohet se nga fillimi i muajit qershor 2016 e në vazhdimësi deri më 18 tetor të atij viti, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, si person përgjegjës për komunitete në Komunën e Pejës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka tejkaluar autorizimet ligjore.
Sipas aktakuzës, përmes programit “Free Keylogger”, program ky i cili shërben për vjedhjen e fjalëkalimeve, merr fjalëkalimin e zyrtarit Gani Toska dhe po ashtu me kompjuterin e tij personal, përmes programit “Protaks”, hyn në sistem kompjuterit të zyrtares për tatim në pronë, Makfirjete Limani dhe arrin t’i shlyejë obligimet tatimore të dëshmitarëve Jahja Kelmendi, Enver Avdyli, Arben Kelmendi, Naser Belegu, Vesel Morina, Rakibe Kelmendi, Atdhe Kelmendi dhe Valdet Berisha.
Sipas aktakuzës, me këto veprime i ka shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Pejës në shumë prej 18 mijë e 275 euro e 98 centë.
Kurse, në aktakuzë thuhet se në fillim të muajit qershor 2016, nga dëshmitari Besim Gashi kishte marrë shumën e të hollave prej 170 euro për të shlyer obligimin e tij tatimor.
Me këtë, sipas prokurorisë ka kryer vepër penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së, për të cilin parashihet dënimi prej 6 muaj deri në 5 vite burgim.


