Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të hënën në Bruksel në kuadër të raundit të fundit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Përfaqësuesi Special për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borell, së bashku me të dërguarin special për dialog, Miroslav Lajçak, fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara duke filluar nga ora 15:00, pas së cilës pritet një takim trepalësh, njoftohet në faqen e Shërbimit Evropian për Çështje të Jashtme(EEAS), përcjellë GazetaBlic.
Siç u tha, Kurti dhe Vuçiq kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe në fokus të takimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Pas takimit është planifikuar një konferencë për media e Borellit.
Takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit ishte planifikuar teksa të dy ndodheshin në Mynih për një konferencë të sigurisë. Siç u tha, fokusi do të jetë në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin deri më tani të dyja palët e kanë mbështetur vetëm në parim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se javën e ardhshme do të jetë në Bruksel dhe se do të shkojë gjithmonë për të biseduar, por, siç tha ai, nuk ka bisedime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Natyrisht që do të flitet për Asociacionin, sepse unë do të flas për të, do të duhet të flasin edhe përfaqësuesit evropianë dhe përsa i përket atij nuk do ta formonte kurrë. Kurti do të shkojë me variantin:’ Po, unë pranoj gjithçka, por së pari Serbia duhet të na njohë dhe ne menjëherë do të formojmë ZSO-në”, tha Vuçiq për TV Pink.
Kurti, ka deklaruar se nuk do të ketë diskutim për Asociacionin e Komunave Serbe në takimin në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë, i cili u paralajmërua në Bruksel.
Kurti tha se pret që ndërmjetësit në dialog t’i përmbahen propozimit evropian dhe “të mos fokusohen në interesat e njërës palë”, shkruan GazetaBlic.


