Lajme

“Kurti është thirrë shumë se s’ka skandale – le të ballafaqohet tash me zhdukjen e mostrave të Deharit”

02/21/2023 22:42
nga:Genita C

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka komentuar deklaratat e fundit të deputetit Haki Abazi lidhur me Rastin Dehari dhe implikimin e njerëzve të lartë në VV në zhdukjen e mostrave të këtij rasti.

Nga holli i Kuvendit, Haki Abazi tha para disa ditëve se ekzistojnë video incizime që dëshmojnë zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Ai ka akuzuar rëndë partinë e tij në pushtet, duke thënë se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari.

Deputeti i VV-së thotë se edhe kryeministri Albin Kurti e Ministrja Haxhiu duhet të merren në pyetje nga Prokuroria për rastin. Ai pyet se si është e mundur që të zhduken mostrat e Deharit dhe kryeministri Kurti mos të thotë asnjë gjë.

Nga VV kanë reaguar për këto deklarata, ndërsa Haziri thotë në Pressing se tani është koha e Albin Kurtit të ballafaqohet me skandalet brenda partisë së tij, pasi për shumë vite komentoi partitë tjera.

“Kurti është thirrë shumë se s’ka skandale – le të ballafaqohet tash me zhdukjen e mostrave të Deharit”, tha ai.