Lajme

Flasin nga AAK-ja: Këto janë pritjet e tyre për takimin e radhës Kurti-Vuçiq në Bruksel

02/21/2023 16:03
nga:Genita C

Më 27 shkurt kryeministri Kurti do të takohet në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ku sipas njoftimit të fundit nga BE-ja thuhet se temë diskutimi do të jetë plani franko-gjerman, raporton GazetaBlic.

Nga AAK-ja vazhdojnë të përkrahin këtë plan, ku sipas tyre përfshihet përkrahja amerikane për rrugën e Kosovës drejt NATO-s.

Kështu të paktën u shpreh për GazetaBlic, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.

“Po, tashmë është konfirmuar edhe nga Bashkimi Evropian se më 27 shkurt do të takohen kryeministri Kurti me presidentin Vucic. Atje do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilin tashmë kryeministri Kurti e ka pranuar e që është propozimi i planit franko gjerman”, tha Bytyqi.

“Ne si Aleancë kemi thënë se mbështesim këtë plan pasi së pari kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës garanc dhe se ky plan përfshin përkrahjen amerikane për partneritet për paqe dhe rrugën e Kosovës drejt NATO-s dhe e dërgon Kosovën përpara në shumë procese”, shtoi Bytyqi.

Bytyqi thotë që pritjet e AAK-së janë që Kosova të konstruktive në dialog.

“Ne presim që Kosova të jetë konstruktive në dialog”, tha Bytyqi për GazetaBlic.