Lajme

Kodra e Trimave dhe Hajvalia së shpejti me pritore, Musliu jep detaje

02/21/2023 08:47
nga:G B

Ilirik Musliu, drejtor i shërbimeve publike në Prishtinë ka thënë se shumë lagje në Prishtinë do të bëhen me pritore dhe ndriçim publik, raporton Gazeta Blic.

Ai në lidhje direkte në emisionin Mëngjesi me Arben Ahmetin, dha detaje lidhur me këto dy çështje, për të cilat qytetarët e Prishtinës kanë shumë ankesa.

“Pritoret do të jenë në formatin A, si te Katedralja, ku do të jenë 50 në zonën urbane, 50 të tjera të formatit B vendosen në zonat më periferike dhe formati C në zonat urbane siç ka qenë. Me prioritet do të jenë Kodra e Trimave dhe Hajvalia, të cilat janë në formatin B. Ndërsa si formati A veçse kemi filluar duke punuar, si te rrethi, te New Born”, tha ai.

Ai shtoi se kjo është një ndërlidhje me transportin urban, pasi synohet digjitalizimi në pritore që të ketë informata se kur janë oraret e linjave, sa ka vonesa.

Musliu shtoi se digjitalizimi është dhe kusht nga BERZH.

Ndërsa, sa i përket ndriçimit publik tha se do të ketë prezantim javën e ardhshme lidhur me 6 llotet, që do të kushtojnë 2 milionë euro./Gazeta Blic/