Më 27 shkurt në Bruksel, do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Lidhur me këtë takim, nga Qeveria kanë dhënë detaje për Gazeta Blic.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për Gazeta Blic thotë se në takim do të diskutohet për planin evropian.
“Takimi i radhës në Bruksel, që do të mbahet të hënën e javës së ardhshme, do të jetë i përqëndruar në propozimin evropian”, deklaroi Përparim Kryeziu për Gazeta Blic.
Ai nuk ka dhënë detaje tjera, ndërsa ende nuk dihet se a do të jetë Asociacioni temë e këtij takimi.
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka folur për këtë takim.
Haliti nuk e sheh këtë plan të favorshëm për asnjërin shtet, por siç thotë ai për GazetaBlic, është rrugë e rëndësishme për hapjen e perspektivës të europianizimit të dy popujve.
“Plani franko-gjerman, nuk është i favorshëm as për Kosoven e as për Serbinë, por është domosdoshmëri e kohës dhe procesit të negociatave të pranohet nga të dyja palët, me qëllim që të hapet perspektiva e europianizimit të të dy popujve”, tha Haliti.
Haliti thotë se çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është problematike, teksa kritikoi edhe disa nga eksponentët e partisë në pushtet, që sipas tij janë duke i ngatërruar gjërat.
“Sa i përket asociacionit, që është mjaft problematik, por kam përshtypje që mediat dhe disa eksponent të VV dhe disa patriot të vetëshpallur po i ngatërrojnë gjërat me qëllim dhe për llogari pa barazim”, thotë Haliti.
Sipas Halitit, formimi i Asociacionit i hap rrugë Kosovës për integrim në NATO, Bë, OKB dhe OSBE dhe sipas tij, BE dhe SHBA do jenë garantuese që Asociacioni s’do ketë kopetenca ekzekutive.
“Asociacioni i hapë rrugë Kosovës me u integru në institucione ndërkombëtare që nga NATO, BE, OKB, OSBE etj, ndërsa Serbëve ju mundëson daljen nga kthetrat pengmbajtëse të shovenizmit serbomadh dhe çlirimin nga tutela e Serbisë. Ata do jenë qytetarë të respektuar të Kosovës, por me të drejtë që disa çështje që kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm ti kenë të mundëshme. Ndërse BE dhe SHBA do jenë garantuese që Asociacioni s’do ketë kopetenca ekzekutive”, tha Haliti për GazetaBlic.


