Më 27 shkurt në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Se ata i ka ftuar në takim e ka konfirmuar përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, i cili ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia të pranojnë planin evropian që është në tryezë.
Lidhur me këtë takim të Kurtit dhe Vuçiqit dhe pritjet nga ai, analistët kanë dhënë mendimet e tyre për Gazeta Blic.
Analisti Gazmir Raci, e ka quajtur lajm të mirë rikthimin në tryezën e bisedimeve, teksa thotë se palët duhet t’i japin përgjigjet e tyre për draftin përfundimtar të kësaj zgjidhje kalimtare për dialogun.
“Është lajm i mirë që pas një kohe të gjatë palët po rikthehen në tryezën e bisedimeve në nivel të liderëve. Jemi në fazën finale kur të dyja palët duhet të japin përgjigjet e tyre për draftin përfundimtar të kësaj zgjidhjeje kalimtare në dialog”, thotë ai për Gazeta Blic.
Raci pret qartësi më të madhe të pozicioneve të Kosovës e Serbisë pro apo kundër planit evropian.
“Pres qartësi edhe më të madhe të pozicioneve të të dyja shteteve dhe arritje të konkludimeve se a janë për apo kundër planit të BE-së që ka mbështetjen edhe të SHBA-ve”, vlerëson analisti.
Sipas tij, ndërkombëtarët kanë interes që ta zgjidhin këtë problem në mes të dyja vendeve, në këtë gjashtëmujor, dhe se kjo do ta qetësonte Ballkanin Perëndimor dhe ndikimin rus në të.
“Për shkak të zhvillimeve gjeopolitike komuniteti ndërkombëtar ka interes që në këtë 6 mujor të parë të këtij viti, ta zgjidh problemin në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe pastaj të adresohen sfidat në luftën Ukrainë-Rusi. Marrëveshja në këtë fazë do ta qetësonte Ballkanin Perëndimor dhe do të parandalonte shtrirjen e mëtejme të ndikimit të Federatës Ruse në këtë pjesë të Evropës Juglindore”, deklaron Gazmir Raci.
Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi thotë për Gazeta Blic se sipas Borrell tema është plani franko-gjerman por që do të diskutohet edhe Asociacioni.
“Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke është bazë e paqes në Ballkan. Sipas ftesës së bërë nga z.Borrell, temë e dialogimit është plani gjermano-francez. Këtë e ka qartësuar ndërmjetësuesi i BE-së. Natyrisht, se edhe asociacioni do të bëhet temë. Kjo, për faktin se SHBA-të e kanë paraqitur asociacionin si parakusht për dialogim mbi planin e BE-së. Kuptohet se shumë varet çështja nga akterët e takimit me 27.02.23 në Bruksel”, thekson ai.
Sipas Kelmendit, fillimisht do të diskutohet Asociacioni e më pas plani evropian, që thotë se këtë renditje nuk mund ta pranojë Kosova, pasi është i rrezikshëm dhe se Asociacioni duhet të shkojë me planin franko-gjerman dhe me njohjen reciproke në qendër.
“Çështjet do të paraqiten në radhitjen: 1.Asociacion dhe 2. Plani gjermano-francez. Këtë rend të punës nuk mund ta pranojë Kosova. Asociacioni duhet të shkojë me planin gjermano-francez dhe me njohjen reciproke në qendër. Çdo rend tjetër është i rrezikshëm për Kosovën dhe për atë nuk duhet pranuar. Paqja realizohet me marrëveshjen që në qendër e ka njohjen reciproke dhe me garanci nga Washingtoni dhe Brukseli. Kështu ndërtohet paqja në Ballkan”, deklaron profesori Muhamet Kelmendi./Gazeta Blic/
Borrell: Shpresoj që Kurti dhe Vuçiq ta pranojnë planin evropian me 27 shkurt


