Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka uruar qytetarët e vendit me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovë, raporton Gazeta Blic.
Ai në këtë 15 vjetor të shtetësisë së Kosovës ka kujtuar presidentin historik Ibrahim Rugova, komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë pjesëtarët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë ata që punuan për pavarësinë e Kosovës.
Urimi i plotë:
“Sot, shteti ynë i ri, i mbushë 15 vjet”.
17 Shkurti ynë është kulmim i përpjekjes së gjeneratave të tëra për liri, për pavarësi e për demokraci. Është arritja më e madhe e jona pas një rrugëtimi sa krenar aq dhe të dhimbshëm.
Sot, kujtojmë Atin Themeltar të Republikës së Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, prirja e të cilit ishte udhërrëfim drejt shtetësisë. Kujtojmë sakrificën e Jasharajve e gjithë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të rënë në altarin e lirisë. Kujtojmë dhe përpjekjen tonë kolektive, atë të qëndresës e guximit, me të cilën përpjekje do të mburren gjeneratat që vijnë. Kujtojmë në veçanti, miqtë tanë që na u gjinden në krah në orët më të vështira. Shtëpia, së fundi, nuk mbahet pa miq.
Të 15 vitet e fundit ishin me plot sfida, siç ishin edhe me arritje të jashtëzakonshme. Ndonëse kjo rrugë s’ishte fare e lehtë, atë e bëmë sepse ishim të nxitur nga dashuria për vendin e këmbëngulësia për të ardhmen tonë e të gjeneratave që vijnë. Të mirët tanë lartnuan shtetin, të drejtit i dhanë shkëlqimin e përditshëm. Të gjithë bashkë i bëmë vendin – të barabartë mes popujve të lirë.
Kjo ëndërr e ky rrugëtim duhet të vazhdojë me po aq përkushtim. Sepse ky rrugëtim s’ka kthim mbrapa. Sepse Kosova, atdheu ynë, është i përhershëm. Sepse Republika është e pavdekshme.
Urime dita e pavarësisë Kosovë!
Të paqim përgjithmonë!”
Krasniqi: Prekazi është vendin ku i ka rrënjët liria e Kosovës


