Deputeti i VV-së, Haki Abazi, ka folur për shkarkimin e tij nga Komisioni për punë të jashtme, që ka thënë se ka ardhur si urdhër i kryeministrit Kurti.
“Shkarkimi ka ardhur si urdhër nga z.Kurti që i ka dhënë Dejona Mihaljit dhe Mimoza Kusarit, që të më shkarkojnë nga kryetari i Komisionit për punë të jashtme”, tha ai në Debat plus në RTV Dukagjini.
Ai ka treguar pakënaqësitë që ka pasur dhe arsyet që kanë çuar në këtë përplasje.
“Kjo është një gradacion i ngadalshëm që unë e kam kuptuar nga zgjedhjet e fundit. Angazhimi im ka qenë maksimal për ndryshimin që e ka kërkuar përmes votës. Unë kam pasur biseda dhe tentime të bisedave me Kurtin për çështje që mendoj se kanë pasur vlerë, për GP të VV-së, komisioneve, kontratës me qytetarët dhe në vazhdimësi debati brenda GP ka zero vlerë pasi të gjitha vendimet vijnë të prera nga Kusari, qoftë për amandamendime, qoftë për emërime të personave në pozita të rëndësishme. Kam shprehur pakënaqësi përmes kanaleve brenda partisë, të cilat janë anashkaluar dhe kam filluar të reagoj dhe publikisht. Dhe kjo ka arritur në pikën kur jemi mospajtuar për zgjedhjet lokale, kandidatët, zgjedhjet brenda VV-së, pastaj zhvillimi ekonomik, veçanërisht atë të energjisë. Dhe të gjitha këto kanë çuar në këto përplasje”, tha Abazi, përcjell Gazeta Blic.


