Sporti

Afera në Spanjë, Barcelona pagoi ish-kreun e komisionit të arbitrave

02/15/2023 14:17
nga:Lorik J

Prokuroria e shtetit spanjoll po heton operacionet e kompanisë DASNIL 95, shkruajnë mediat katalanase. Është një kompani në pronësi të Jose Enriquez Negreira, një arbitër spanjoll prej kohësh dhe kryetar i komisionit teknik për La Liga nga viti 1994 deri në 2018.

Ai deri më tani dyshohet për mashtrim dhe korrupsion dhe gjithçka nisi kur inspektorati tatimor zbuloi pagesa të dyshimta që i vinin kompanisë së përmendur nga Barcelona, gjiganti katalanas i futbollit. El Pais shkruan se bëhet fjalë për një shifër prej 1.4 milionë eurosh dhe paratë janë paguar mes viteve 2016 dhe 2018, ndërsa president i klubit ishte Josep Bartomeu.

Sipas mediave katalanase, Barcelona ka paguar 532 mijë euro në vitin 2016, 541 mijë euro në 2017 dhe 318 mijë euro në vitin 2018. Interesant është fakti se pagesa e fundit përkon me largimin e Enriquez Negreira nga komisioni i arbitrave, pas së cilës një përbërje e re e atij trupi u formua.

Bartomeu shpjegoi se pagesa të tilla nuk janë një praktikë e re në Barcelonë dhe pretendon se klubi katalanas ka bërë pagesa për të njëjtën kompani që nga viti 2003, kur Laporta kishte mandatin e tij të parë si president. Historia u konfirmua nga Sandro Rosell, presidenti i klubit mes viteve 2010 dhe 2015. Laporta ende nuk ka folur.

Para gjykatës së hetimit dëshmuan disa ish-drejtues të Barcelonës, si dhe pronarë të kompanisë. Negreira nuk ka raportuar pagesat e sipërpërmendura nga Barcelona në administratën tatimore dhe thotë se nuk e ka bërë këtë sepse vetëm “u ofronte shërbime konsulence”.

/GazetaBlic Sport