Lajme

Arrestohet shoferi që u largua nga vendi i ngjarjes pas aksidentit në Arllat ku vdiq 19 vjeçari

02/15/2023 13:56
nga:Y I

Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka treguar se është arrestuar personi që ka shkaktuar mbrëmë aksidentin në Arllat, ku për pasojë ka mbetur i vdekur këmbësori.

Pas aksidentit të ndodhur mbrëmë rreth orës 19:00 shoferi i veturës ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Por, është ndaluar të mërkurën me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i cili dyshohet për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.

Ulaj ka bërë të ditur se Prokuroria dhe Policia po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi i dyshuar, për shkak të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik” (me fatalitet), i cili është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML, për t’iu nënshtruar obduksionit. Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Ulajt për Dukagjinin.