Lajme

Shëndetësia, arsimi, ekonomia/ Analistët renditin dështimet e Qeverisë Kurti në dyvjetorin e qeverisjes

02/14/2023 20:41
nga:G B

Sot, saktësisht janë bërë dy vjet që kur Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.

Për të vlerësuar punën e qeverisë në këto dy vite, dështimet, sukseset, sfidat e fushat ku pati ngecje më shumë, për Gazeta Blic kanë folur analistët.

Njohësi i çështjeve politike, Dorajet Imeri, thotë se qeveria do të duhej të ishte më e efektshme në zbatimin e agjendës, duke pasur aq shumë pushtet.

Ai përmend fushat në të cilat ka shënuar progres.

“Kosova mund të thuhet se nuk ka shënuar progres në disa nga fushat kryesore ose jetike të zhvillimit shoqëror, sidomos në shëndetësi, arsim ose eventualisht në zhvillimin ekonomik. Sidomos këto janë disa nga pikat më të ndjeshme të Qeverisë Kurti 2, nuk mund të mohohet fakti që Kosova ka shënuar një progres të theksuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për çka ka reflektuar edhe në raportet ndërkombëtare”, deklaron Imeri për Gazeta Blic.

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, për Gazeta Blic thotë se Kosova gjendet në situatë të rëndë, që thotë se është shkaktuar nga dy faktorë, ai në politikën ekonomike dhe juridike, si dhe politika e jashtme.

“1. Faktorët e parë janë dominant në gjendjen e brendshme dhe ata ndahen në nënfaktorë, a. Politik, b. Ekonomik dhe c. Juridik. Politika e zhvilluar në Kosovë është tipike koloniale dhe nënshtruese ndaj interesave të ndryshëm, që e kanë dëmtuar Kuvendin në kompetencat e veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Të tri këto kompetenca iu kanë nënshtruar interesave politike të njërës a partisë tjetër, që kanë ardhur në pushtet. Kështu është ndërtuar sistemi me njerëz inkompetentë, megaloman, frikacakë dhe tipik keqpërdorues të pushtetit”, thotë ai.

Sipas Kelmendit, Kuvendi është jofunksional, qeveria nuk ka frikë nga kuvendi.

“Së këndejmi, kemi Kuvend jo funksional, një partiak, që fare nuk përpiqet në gjetjen e realitetit. Edhe pushteti ekzekutiv u burokratizua. Qeveria nuk ka frikë nga Kuvendi, sepse Kuvendi nuk analizon punën e Qeverisë, por me anim dhe shumicë të votave vendos çfarë dëshiron. Ana ekonomike është e ndërtuar mbi një lidhje të ashpër dhe mbi baza të grupeve informale politike dhe ekonomike. Edhe tash po kështu është. Kjo ka bërë dhe ka rritur eksploatimin dhe mundësinë e ikjes nga vendi. Të ardhurat personale janë nën nivel të çdo shteti në Evropë. Me të ardhura 200-300 euro nuk jetohet. Shteti heziton. Nuk vepron dhe lejon pozitën skllavëruese. Edhe me ligj të ri nuk ka përmirësim. Me të ardhura 250 euro nuk përmirësohet gjendja. Duket se ky ligj rregulloi të ardhurat e ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve, etj., ndërsa edhe punëtorin e vuri në gjendje më të rëndë ekonomiko-sociale, duke rritur skllavërinë. E tërë kjo e përcjellë me pushtet juridik të mbështetur në keqpërdorim dhe në ndërtim mbi kërkesa përfituese e thelloi gjendjen e rëndë. Askush në Kosovë nuk ka sigurim shëndetësor. Sigurimi pensional dhe invalidor nuk ekziston. Vdesin njerëz në punë dhe familja nuk merr pension. As policët që janë të ballafaquar me vdekjen nuk kanë sigurime. Shteti hesht. Kështu mbetet ikja nga vendi”, shton analisti.

Më tej, ai përmend politikën e jashtme, dialogun me Serbinë, raportet me SHBA-të.

“2. Raportet me jashtë janë në pozitë null. Me Serbinë nuk po dinë të dialogojnë dhe të veprojnë në veri. Po bëhet 20 ditë të bllokimit të veriut të Kosovës nga bandat kriminale serbe dhe shteti është vënë në pozitë indiferente. Po bëhet barazimi midis shtetit të ndërtuar mbi baza kushtetuese dhe kriminelëve banditeskte të Vuçiqit. Tolerohen bllokimet. Sulmohen me armë organet e rendit. Janë krijuar njësi kriminale të armatosura. Veriu është ndarë. Edhe në raportet me shtetet, sidomos me SHBA-të, janë shkatërruar dukshëm. Pozita e Kosovës në Bruksel është dëmtuar shumë. Republika gjendet në gjendje të rëndë. Asociacioni veç që nuk është krijuar. Republika do të dëmtohet rëndë. Mund të vije edhe te konfliktet luftarake. Viti 2023 është viti me qenë ose jo si Republikë sovrane”, deklaron Muhamet Kelmendi./Gazeta Blic/

Dy vjet qeverisje nga Qeveria Kurti, deputeti i VV-së: Deri në fund të mandatit do t’i përmbushim të gjitha zotimet

 

Ndryshimi i Kurtit për Asociacionin dhe pranimi i planit franko-gjerman, flet Ish kryediplomatja: Shqetësimi dhe temat që nuk duhet të rinegociohen