Lajme

Shala (PSD): Me Kurtin në pushtet veriu i pakthyeshëm, plani franko-gjerman është rezultat i paaftësisë së Qeverisë

02/14/2023 20:07
nga:Astrit Gashi

Me kryeministrin Albin Kurti në pushtet, veriu i Kosovës do jetë i pakthyeshëm, vlerëson Asdren Shala nga Partia Socialdemokrate e Kosovës.

Madje sipas tij, nëse propozimi franko-gjerman do të pranohet, atëherë do të ketë vetqeverisje për veriun.

“Publikisht Qeveria Kurti thotë se Kosova është parajsë, veç qytetarët janë duke e jetuar ferrin. Qeveria e Kosovës praktikisht nuk e ka veriun në kontroll. Me Kurtin në pushtet, veriu është çështje e pakthyeshme. Nëse pranohet plani franko-gjerman, ka një vetqeverisje për veriun. Me aq sa e njohim si strukturë planin franko-gjerman, veriu do të ketë status të veçantë. Kurtit i duhet sa më shumë kohë për të bërë propagandë, fushatë”, deklaroi Shala në Tëvë1.

Ndërkaq, sa i përket planit franko-gjerman, Shala tha se ky propozim është rezultat i paaftësisë së Qeverisë Kurti.

“Plani franko-gjerman, është rezultat ekskluziv i kësaj Qeverie. Ky plan ka ardhur nga një paaftësi e Qeverisë Kurti. Planin franko-gjerman Qeveria Kurti nuk e ndalë dot, kjo për shkak se është e shantazhuar dhe e pafuqishme”, tha tutje ai.

Derisa shtoi se 6 kushtet e Kurtit për pranimin e Asociacionit, janë veçse lojëra fjalësh.