Ambasadori i Norvegjisë në Serbi, Jern Eugen Jelstad, ka thënë sot se njohja e Kosovës nuk mund të jetë pikë hyrëse për negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, shkruan GazetaBlic.
Në një intervistë për Tanjug, Jelstad tha se vlerëson përkushtimin e palës serbe për zgjidhjen e çështjes së Asociacionit të Komunave Serbe, e cila është thellësisht e përfshirë në Marrëveshjen e Brukselit, dhe ka thënë se zbatimi i saj është obligim i të dyja palëve.
“Ne duhet ta shikojmë këtë konflikt nga një këndvështrim racional dhe të shohim se si mund të sjellim energji të re në negociata. Duhet një lloj normalizimi, normalizimi i marrëdhënieve duhet të përfshijë edhe kompromise,” tha Jelstad.
Ai tha se mbështet përpjekjet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të rishikuar iniciativën franko-gjermane dhe se asnjëra palë nuk do të përfitojë nga konflikti i ngrirë.
Jelstad shton se e kupton lidhjen e popullit serb me Kosovën.
“Me kalimin e kohës, është e vështirë ta shohësh Kosovën si një krahinë autonome të Serbisë. Sigurisht, e kuptoj ndjeshmërinë e çështjes së Kosovës për popullin e Serbisë. Kjo është një zonë gjeografike kyçe e kulturës dhe fesë suaj. Nga ana tjetër, mendoj se është e vështirë të parashikohet Kosova si një territor që do të bëhet sërish pjesë e Serbisë”, tha Jelstad.


