Lajme

Mehaj në NATO: Kosova e gatshme t’i strehojë 5000 refugjatë ukrainas

02/14/2023 18:31
nga:Astrit Gashi

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka marrë pjesë në takimin e nëntë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, me ç’rast ka thënë se gjatë takimeve me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe me akterë të tjerë ka shprehur gatishmërinë që Kosova t’i strehojë 5000 refugjatë ukrainas, shkruan GazetaBlic.

“Gjatë takimeve që bashkë Gjenerallejtënant Jasharin kisha me Stolterberg, Ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë, Ministren e Mbrojtjes së Letonisë, Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në NATO , Visho Ajazi Lika edhe një herë shpreha gatishmërinë tonë si Qeveri e si Ministri e Mbrojtjes që në çdo kohë të strehojmë 5000 refugjatë ukrainas, e po ashtu të ofrojmë mbështetjen përmes trajnimit të ushtarakëve ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Mehaj ka potencuar se e kupton shumë mirë luftën e Ukrainës për liri pasi që edhe Kosova është përballur me agresor me mentalitet gjenocidal.

“Si një shtet që jemi përballur me një agresor të tillë me mentalitet okupues e gjenocidal, e kuptojmë shumë mirë luftën e popullit ukrainas për liri, e gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm që ka faktori ndërkombëtar në këtë mes, ndihma që mund të shpëtoj jetë e t’i jep fund terrorit”, ka shkruar Mehaj.