Analisti Ylli Hoxha, ka thënë se në debatin parlamentar për zhvillimet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këtë të hënë, është qartësuar se ekziston plani i implementimit të marrëveshjes.
Kështu ka thënë ai në emisionin ”Debat Plus”, në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për diskutimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përballë opozitës lidhur me çështjen e dialogut.
“Sot u qartësuan dy gjëra që ekziston plani i implementimit të marrëveshjes dhe pos kësaj ekziston plani i zbatimit, dhe brenda këtij plani së paku një pikë është që të zbatohet të krijohet statuti i Asociacionit. Këto 2 të reja dolën nga Kurti”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, për planin e zbatimit Kurti thotë se është i negociueshëm por brenga e Hoxhës është që efekti negociator është minimal.
“Do të jetë aq i madh sa ka qenë në dokumentin bazë, i cili ka ndryshuar shumë pak”.
Ai ka theksuar se në këtë debat ishin tri opozita.
“Ku ka sulmuar sot LDK-ja? Kryesisht ka sulmuar në kredibilitetin e Albinit. E dyta ka qenë dëmin që ia ka shkaktuar Kosovës në raportet me raportet ndërkombëtare. Memli Krasniqi ishte i përqendruar në përmbajtje të marrëveshjes, çka sjellë ai plan, kur vjen njohja, si do të bëhet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare. Dhe i treti që ka qenë i befasishëm për mua ka qenë pozicioni i AAK-së qe ka qenë përkrahës për planin”, shtoi Hoxha.