Kur janë bërë gati 13 vjet që nga vrasja e Diana Kastratit, Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të paguajnë 30 mijë euro dëmshpërblim prindërve të Diana Kastratit, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Adnan Jashari, më 18 maj të vitit 2011 në Prishtinë.
Kjo vjen tri vjet pasi Avokatura e Shtetit kishte kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Prizrenit që shteti i Kosovës t’i paguante dëmshpërblim familjes prej 95 mijë eurosh. Sipas tyre dëmshpërblimin duhej ta paguante KGJK-ja.
Por babai i Diana Kastratit, Gëzim Kastrati vlerëson që ankesa e Avokaturës bie në kundërshtim me një aktgjykim të Apelit.
“Vet ankesa e krijua e tillë tenton ta arsyetojë që ka marrë një masë ndëshkuese ndaj një gjyqtari i cili nuk ka vepru. Masë ndëshkuese e cila ka qenë qesharake. Dy paga nga 50 % iu ka hjek prej pagës. Ai e ka vazhdu përsëri punën. Përpos asaj edhe akterë tjerë përkundrazi janë avancuar në pozicione duke filluar prej Matifete Saliukës dhe të tjerëve. Nëse e analizojmë këtë dhe Aktgjykimin e Apelit është me të vërtetë e papranueshme”, ka thënë Kastrati.
Sipas tij nuk është me rëndësi dëmshpërblimi sa të mirret një vendim i drejtë
“Unë këtë s’e pranoj, vlera nuk më intereson. A është 30 mijë, a 30 milionë, ajo është çështje krejt tjetër. Ideja është që të marrim vendimin e drejtë, të sanksionohen institucionet qofshin ata kush qofshin. Ne e kemi denoncuar përveç Këshillit Gjyqësor edhe Republikën e Kosovës, shtetin e Kosovës. Jo ta zbërthej, ai ose ky ka pas faj. Për mosveprim si pasojë ka ndodh një tragjedi”, ka thënë ai.