Vlera prej 105 eurosh e koeficientit për pagat e sektorit publik ka ngjallur pakënaqësi të mëdha, por njohësi i çështjeve politike tregon efektet pozitive të Ligjit të Pagave.
Jakup Bellaqa në një prononcim për GazetaBlic thotë se, duke marrë parasysh që ka pas dallim të mëdha mes pagave edhe pse puna dhe pozita ka qenë pothuajse e njëjtë, sipas tij me Ligjin e Pagave është krijuar një barazi ligjore.
“Efektet ekonomike për disa kategori janë të pakënaqura, sepse vlera e koeficientit prej 105 euro ka ndikuar që t’i ulen të hyrat, por te disa kategori ka ngritje të pagave dhe është krijauar një barazi. Për punën dhe pozitën e njëjtë ka pasur një dallim të madh, ku nuk janë vlerësuar puna dhe vlerat e punës, psh, një specialistë i mjekësisë është paguar deri tash me pagë 600 euro, ndërsa një deputet ka marrë pagë afërisht 2000 euro. Edhe në pozitat menaxheriale gjithashtu ka pasur një dallim të theksuar, me ligjin e pagave është krijuar një barazi ligjore”, tha Bellaqa.
Bellaqa thotë se duke marrë parasysh inflacionin e lartë, kjo vlerë e koeficientit nuk është e mjaftueshme, por ai e sheh si shpresë vitin 2024, ku vlera e koeficientit do të jetë 110 euro.
Ai thotë se përkundër vlerës simbolike, Ligji i Pagave është i mirëseardhur se po bëhet për herë të parë.
“Duhet theksuar se karshi inflacionit të lartë dhe vështirësive ekonomike, nuk është aq i mjaftueshëm, por mendoj se kjo politikë e pagave është progresive sepse në vitin 2024 është vendim që do të rritet për 110 euro. Duhet të përshëndetet fakti që për herë të parë dhe vendi i vetëm në rajon ka një ligj të pagave, ku pagat e sektorit publik janë të garanatuara me ligj. Kjo duhet të vlerësohet pozitivisht, sepse edhe në aspektin ekonomik do të ndikon që të rritet konsumi dhe të rritet fuqia blerëse dhe shitëse”, tha Bellaqa për GazetaBlic.


