Një tërmet, në termin më të thjeshtë, është kur toka dridhet.
A e dini se ndodhin qindra tërmete çdo ditë, jo gjithmonë aq të fortë sa ne t’i vërejmë? Pastaj janë disa tërmete masive që shkaktojnë dëme të mëdha dhe humbje jetësh. Këto ngjarje të tmerrshme ngrenë shumë pikëpyetje; këtu janë disa përgjigje, raporton Al Jazeera.
I kujt është ‘faji’ kur ndodh një tërmet?
Sipërfaqja e Tokës është e përbërë nga shkëmbinj të fortë e të mëdhenj, që të ndërlidhur, krijojnë pllaka tektonike. Këto pllaka qëndrojnë nën nivelin e detit, në zona të nxehta, ku kur nxehen e kur ftohen, rrotullohen. Tërmetet dhe vullkanet krijohen në momentin kur këto pllaka takohen (bashkohen).
Pllakat, të njohura si pllaka tektonike, janë vazhdimisht në lëvizje dhe të ndërlidhura, duke krijuar presion derisa kërset diçka nëntokë, duke i bërë të lira të rrëshqasin në vijat e krisura të quajtur thyerje apo zhvendosje të sipërfaqes, këto thyerje mund të jenë të gjata me kilometra.
Kur presioni i pllakave lirohet dhe pllaka lëviz, energjia e liruar shpërthen.
Si dihet se sa i fortë ishte një tërmet?
Shkencëtarët përdorin sizmografë, të cilët dikur tundnin gjilpëra që regjistronin lëkundjet e tokës, por tani pajisjet janë të gjitha dixhitale. Ekziston një rrjet global i këtyre, si dhe rrjete lokale dhe rajonale, dhe shumica e të dhënave janë me burim të hapur dhe lidhen automatikisht. Duke kombinuar të paktën tre matje, sistemet mund të hartojnë vendndodhjen, kohëzgjatjen dhe madhësinë e një tërmeti me saktësi.
Përveç sizmometrave, gjeologët dhe sizmologët kanë një sërë mjetesh për të mbledhur të dhëna në lidhje me lëvizjet e kores së Tokës. Sensorët e lidhur me GPS vendosen pranë zonave aktive sizmike për të matur lëvizjen në sipërfaqe. Fotot satelitore të marra para dhe pas një ngjarjeje mund të krahasohen pixel për pixel. Një radar me bazë satelitore i quajtur InSAR është një nga mjetet më të rëndësishme për të ndjerë se si ndryshon sipërfaqja e Tokës: radari reflekton rrezet e radiovalëve nga orbita mbi lëvizjet e Tokës dhe një proces i quajtur interferometri regjistron ndryshimet në lartësinë e sipërfaqes me saktësi në milimetra. Sateliti kalon dy herë për të parë se çfarë ka ndryshuar në tokë. Teknikat e mësimit të makinerive po testohen gjithashtu tani në grupe të dhënash të mëdha për të gjetur sinjale më shpejt se sa njerëzit.
A mund të shkaktojë tërmeti një tjetër tërmet?
Megjithëse tërmetet dihet se shkaktojnë tërmete të tjera, mënyra se si ndodh kjo është një çështje e diskutimit të ashpër midis shkencëtarëve. Tërmetet ekspozojnë dy paradokse rreth mënyrës se si njerëzit e kuptojnë botën natyrore: ato ndodhin në periudha më të gjata se përvoja njerëzore dhe ndodhin në thellësi shumë përtej aftësisë së njerëzve për të vëzhguar drejtpërdrejt.
Shkencëtarët e menaxhojnë këtë duke bërë modele dhe duke llogaritur probabilitetet. Pas një tërmeti, shkencëtarët shikojnë të dhënat për të kuptuar më mirë se çfarë mund të ndodhë më pas. “Ne duhet të vendosim një stetoskop” në Tokë, tha Harold Tobin, profesor i Shkencave të Tokës në Universitetin e Washingtonit, “për të përcaktuar se çfarë po ndodh atje poshtë.
“Ideja e gjerë rreth shkakut të [tërmeteve] që është grumbullimi i tendosjes ka ekzistuar për një kohë të gjatë”, shpjegoi Tim Wright i Qendrës për Vëzhgimin dhe Modelimin e Tërmeteve, Vullkaneve dhe Tektonikës (COMET) me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, “por vetëm gjatë 20 vjetëve të fundit kemi pasur teknologjinë për ta matur atë duke përdorur informacionin satelitor”.
A mund të parashikohet tërmeti?
Shkencëtarët pyeten gjatë gjithë kohës nëse është e mundur të parashikohet një tërmet. “Ne nuk jemi as afër një parashikimi afatshkurtër”, tha Wright. Studimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara, që dokumenton ngjarjet globale sizmike, mban një faqe interneti kushtuar zhvlerësimit të miteve të parashikimit.
Pas një tërmeti të madh, ka një sasi të madhe të dhënash për t’u mbledhur dhe deshifruar, dhe disa prej tyre janë menjëherë të dobishme. “Ne mund të bëjmë llogaritjet për vendet që kanë më shumë ose më pak gjasa të kenë tërmet si rezultat i (tërmetit të mëparshëm”, theksoi Wright.
Ai po pret për të dhënat e InSAR nga një satelit evropian që do të bëjë kalimin e tij të parë mbi Turqinë jugore që nga një seri tërmetesh me magnitudë të lartë që ndodhën më 6 shkurt. Ekipi i tij dhe të tjerë mund të modelojnë sasinë totale të energjisë që mund të përfundojë duke u çliruar në një tërmet në një zonë të caktuar dhe shkallën me të cilën do të lëshohet, me saktësi të konsiderueshme.
“Por ne thjesht nuk e dimë se kur” do të ndodhë, tha ai. “Nuk e dimë nëse mund të jetë një tërmet i vetëm me magnitudë 8 apo dhjetë tërmete me magnitudë 7”.
Në zonat që janë të pajisura për të, paralajmërimet e hershme mund të transmetohen disa sekonda para se të ndodhin goditjet, për të ngadalësuar trenat ose për të hapur dyert e emergjencës.
Çfarë po bëhet në këtë drejtim?
Një laborator unik në veri të New Yorkut simulon tërmetet gjatë gjithë vitit. Laboratori i Inxhinierisë Strukturore dhe Simulimi i Tërmeteve (SEESL) i Universitetit në Buffalo, New York ka dy tavolina gjigante 7×7 metra tundëse, secila e pajisur për të mbajtur ndërtesa të vogla, pjesë urash ose njësi të tjera të infrastrukturës. Michel Bruneau i SEESL tha: “Është e mundur të ndërtohen struktura që mund t’i mbijetojnë kësaj”, duke iu referuar një tërmeti me magnitudë 7.8.
“Ju mund të programoni strukturën në mënyrë që dëmi të frenohet, në mënyrë që banorët të mund të shpëtojnë”, madje edhe për ndërtesat e ndërtuara nga betoni i përforcuar një material i përdorur në mbarë botën, shtoi ai.
Inxhinierët mund të projektojnë pikat e dështimit në strukturë duke i larguar ato nga kolonat që mbajnë ndërtesën lart dhe duke i vendosur ato në zona më pak kritike. Hapi tjetër, tha Bruneau, është “ideja e elasticitetit sizmik” – ndërtesa që rimëkëmben. Në laborator, ata po zhvillojnë teknologji për strukturat me pjesë të zëvendësueshme që përqendrojnë dëmtimin, thyejnë dhe më pas ndërrohen shpejt, duke ruajtur funksionalitetin e ndërtesës ose urës.
Judith Hubbard është një asistente profesoreshë në shkollën “Cornell Earth and Atmospheric Sciences, dhe ajo studion zhvendosjen apo thyerjen e sipërfaqes së tokës në mbarë botën. “Qëllimi është të kuptojmë se cilat pjesë të thyerjes kanë rrëshqitur dhe çfarë sasie”, tha ajo, sepse kjo do të ndihmojë në modelimin nëse mund të ketë shkaktim në një pjesë tjetër të thyerjes ndërsa tendosja zhvendoset në pozicionin tjetër të cenueshëm.
Modelimi i një thyerjeje apo zhvendosje kërkon sa më shumë informacion që të jetë e mundur, nga një periudhë sa më e gjatë kohore. Përputhja e tokës dhe datimi me radiokarbon të zonës bien në fushën e paleoseizmologjisë, duke hartuar ngjarje të lashta që informojnë të ardhmen. Edhe të dhënat kimike nga shkëmbinjtë koralorë në kufijtë e pllakave ndihmojnë në plotësimin e historisë.
“Ajo që është jashtëzakonisht e vështirë është se koha e akumulimit të [presionit] është kaq e gjatë – dekada, mijëvjeçarë dhe lëshimi [tërmeti] është 30 sekonda ose një ose dy minuta, ndryshimi midis atyre shkallëve kohore është kaq i madh”, tha Tobin i Universitetit të Washingtonit. “Dikush mund të thotë se [një] zhvendosje nuk ka shkaktuar një tërmet të madh në 100 vjet. Unë, si gjeolog, do të thosha, e dimë që kjo periudhë kohore është normale”.
“Nuk thotë se zhvendosja apo përçarja është vonuar për të shkaktuar një tërmet, por thuhet se i ka kushtet e përshtatshme për të gjeneruar një tërmet”, shtoi ai.