Kanë përfunduar tre ndeshjet e Superligës së Kosovës.
Ballkani ka arritur një fitore me shumë vlerë ndaj Malishevës, me ndeshjen që pati ‘dy fytyra’, shkruan GazetaBlic Sport.
Pjesa e parë përfundoi me shifrat 0 me 3 në të mirë të kampionit në fuqi, kurse në pjesën e dytë, Malisheva shënoi dy gola dhe e bëri ndeshjen interesante deri në sekondat e fundit. Por që në fund, një gol i Veton Tushës i vendosi shifrat përfundimtare, 2 me 4.
Albion Rrahmani ishte fantastik, duke realizuar ‘Hat-trick’, kurse Mustafa dhe Hazrollaj shënuan për skuadrën e drejtuar nga Bylbyl Sokoli.
Trajneri i skuadrës së Ballkani, Ilir Daja tha se është i lumtur me fitoren, por që nuk i pëlqeu ulja e motivit tek futbollistët në pjesën e dytë.
“E kishim lojën nën kontrollë dhe morëm një fitore të merituar. Ajo që nuk më ka pëlqyer tek kjo fitore ishte ulja e motivit tek futbollistët në pjesën e dytë, kjo gjë nuk duhet të na ndodhë më. E fillojmë mirë gjysmën e dytë të sezonit dhe jam i lumtur për këtë“, tha Daja pas ndeshjes.
/GazetaBlic Sport/


