Përfaqësuesi i komunitetit turk në Kuvend, Enis Kervan ka falënderuar Kosovën për ndihmën e ofruar Turqisë, pas tërmetit të fuqishëm që goditi atë të hënën.
Kervan theksoi se Kosova është mobilizuar që në momentin e parë për të kaluar së bashku këtë vështirësi, përcjell teve1.info
Ai po ashtu potencoi se është krenar me ushtarët kosovarë.
“Shpreh edhe njëherë mirënjohjen time si përfaqësues të komunitetit turk në Kuvendin e Kosovës, për presidenten, kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin tonë, të cilët menjëherë ofruan mbështetjen me hapa konkret për këtë rast tragjedi…jam krenar sepse Kosova ime e cila ka vuajtur me vite të tëra, tani është bërë një vend i fortë i cili qëndron pranë vendeve mike për të shëruar plagët e atyre që janë duke vuajtur. Shpëtimi i një fëmije 2-vjeçar dhe nënës së fëmijës nga rrënojat nga njësitet e FSK-së në Hatay të Turqisë më bëri edhe njëherë krenar për ushtarët dhe shtetin tim”, deklaroi ai në seancën që po mbahet në Kuvend.
Deri tani, numri i viktimave që kanë humbur jetën në Turqi ka shkuar në mbi 16 mijë.


