SHBA sërish ka përsëritur qëndrimin se Asociacioni duhet të formohet.
Dje ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka thënë se kjo marrëveshje duhet të zbatohet deri në verë të këtij viti.
Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, thotë për Gazeta Blic se nevoja për themelim ose jo të Asociacionit duhet parë në dy aspekte.
“Nevoja për themelim apo jo të Asociacionit/Bashkësisë duhet parë të paktën në dy aspekte; e para, në aspektin kushtetues e ligjor nuk ka kurrfarë domosdoshmërie ngase pakica serbe si krejt pakicat tjera në Kosovë, i kanë të garantuara të gjitha të drejtat fundamentale, e dyta, në aspektin e dokumentit të nënshkruar në Bruksel më 19 Prill, 2013 i paraqitur si “marrëveshje ndërkombëtare” nuk paraqet asnjë obligim shtetëror e institucional, për shkak të mangësive esenciale të saj që ka dokumenti (‘marrëveshja’) për të qenë plotësisht e përmbajtësisht, marrëveshje ndërkombëtare me efekte juridike e institucionale. Prandaj, e gjithë thirrja dhe insistimi është politik nga kushdo qoftë ai të cilët mund të jenë faktorë vendor apo ndërkombëtar”, thekson analisti.
Sipas tij, Qeveria duhet të theksojë qartë e saktë se cilat nga pikat e planit evropian janë për diskutim e cilat refuzohen.
“Tashmë për të disatën herë është potencuar publikisht se ky propozim i quajtur ‘Franko-Gjerman’ apo ‘Evropian’ ka bazë për të vazhduar diskutimet mbi pikat e prezantuara si propozim. Mbase do të duhej theksuar qartë e saktë nga ana e qeverisë, se cilat nga pikat mund të konsiderohen për diskutim e cilat refuzohen për hirë e me qëllim të evitimit të gjithë kësaj mjegulle të krijuar së fundmi”, vlerëson Pula për Gazeta Blic.
Ai potencon se do të duhej të ndiqej një rrugë tjetër më e shëndetshme dhe e përhershme në mes të Kosovës dhe Serbisë, përtej gjithë përpjekjes së faktorit ndërkombëtar.
“Përtej gjithë kësaj përpjekje prej faktorit ndërkombëtar, do të duhej të ndiqej një rrugë tjetër e cila do të ishte më e shëndetshme dhe e përhershme, përpjekje për arritjen e një Traktat Paqeje ndërmjet Kosovës e Serbisë, si palë ndërluftuese që kanë qenë në vitet 98-99 të fundshekullit të kaluar, ashtu siç është praktikë e njohur nga doktrinat e të drejtës ndërkombëtare”, deklaron analisti Shqiprim Pula./Gazeta Blic/


