Lajme

Arben Ahmeti: Gjashtë kushtet e Kurtit per Asociacionin, taktikë për të arsyetuar mungesën e marrëveshjes!

02/07/2023 17:56
nga:Y I

Njohësi i çështjeve politike, Arben Ahmeti, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me gjashtë kushtet për formimin e Asociacionit prezantuar ditë më parë në Kuvend nga kryeministri Albin Kurti.

Ahmeti tha se disa prej këtyre kushteve ishin parimore por gabimi është se janë pak vonë.

“Disa prej këtyre kushteve ishin shumë parimore dhe të qëndrueshme, por besoj që gabimi është se janë pak vonë pasi që është prezantuar plani franko-gjerman dhe pasi që është hargjuar çdo kartë e presionit në raport me Asociacionin nga bashkësia ndërkombëtare. Sikur këto gjashtë kushte të ishin vendosur para një viti si platformë kombëtare karshi dialogut me unitetin e plotë të të gjithë spektrit politik dhe shoqërisë civile besoj se do të ishin shumë kushte të shëndosha. Tani kam përshtypjen se është më shumë taktikë e zotit Kurti për të arsyetuar mungesën e marrveshjes potenciale dhe për të treguar se përkunder faktit se mund të mos arrihet marrveshja Kosova është treguar konstruktive të paktën në një pikë”

Tutje Ahmeti ka deklaruar se është e ekzagjeruar të pretendohet se Albin Kurti e ka pranuar planin franko-gjerman.

“Kam përshtypjen se është pak e ekzagjeruar pretendimi se e ka pranuar planin franko-gjerman. Zoti Kurti vetëm ka thënë që është plan i mirë si bazë e diskutimit. I bie që do dialog mbi këtë diskutim dhe nuk besoj se jemi ende afër pranimit të një plani të tillë, është më shumë përpjekje për të blerë kohë. Kam përshtypjen se këtë nuk po e bën vetëm Kurti, ngjashëm po vepron edhe Vuçiq. Fatkeqësisht dy protagonistët nuk janë aty për të bërë marrveshje por janë aty për të fituar kohë” deklaroi Ahmeti për “Gazeta Blic”