Lajme

Deputetja e PDK-së: “Zajednicës” po kërkon t’ia ndërrojë vetëm emrin, Kurti ka pranuar marrëveshje që e di vetëm ai

02/07/2023 14:48
nga:G B

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se nuk dinë asgjë për planin evropian të pranuar nga kryeministri Albin Kurti.

Ajo për Gazeta Blic ka thënë se Kurti nuk po raporton për këtë plan, ashtu siç e ka obligim dhe se e ka pranuar një marrëveshje të cilën e di vetëm ai dhe partitë politike nuk dinë asgjë.

“Çkado që ne flasim rreth planit franko-gjerman është vetëm spekulim. Ne si deputetë nuk e kemi parë këtë plan, nuk e dimë a ka në të Asociacion, a ka njohje reciproke. Nuk e kemi asnjë informatë lidhur me të. Ka 6 muaj që Kurti e ka pasur në tavolinë këtë plan dhe është dashur të vie në Kuvend, të raportojë, të ketë transparencë gjatë procesit, ashtu siç ka kërkuar rezolutë në Kuvend, para dhe pas çdo takimi të raportojë që mbahet edhe në Bruksel, edhe këtu që mbahet lidhur me dialogun. Ne kemi transparencë zero sa i përket këtij procesi. Zoti Kurti ka pranuar një marrëveshje për të cilën e di veç vetë dhe partitë politike nuk kanë informatë për përmbajtjen dhe tani të presim se çfarë surprize të radhës e ka Kurti për qytetarët dhe ne”, deklaron ajo për Gazeta Blic.

Sa i përket Asociacionit, ajo thotë se ai është pjesë e marrëveshjes së vitit 2013 në Bruksel dhe që është votuar në Kuvend të Kosovës.

“Zoti Kurti me Kushtetutë është udhëheq i këtij procesi dhe çdo e mirë dhe çdo gjë e keqe që del nga ky negocim është rezultat i vetë zotit Kurti. Ai ka obligim që të vijë e të raportojë në Kuvend por ka vendosur që në dreka e darka me zotin Lajçak të marrë vendime për vendin tonë, për të ardhmen tonë, që ne si deputetë dhe ky kuvend, dhe mediat e qytetarët kanë zero informatë”, thotë deputetja e PDK-së.

Ajo thotë se Kurti i ka shkelur të gjitha parimet që i ka pasur kur ka qenë në pozitë, tani kur është bërë kryeministër.

Sa i përket kushteve të kryeministrit Kurti për asociacionin, ajo thotë se përmes tyre po kërkon që t’i ndërrohet emri dhe nuk po e shikon fare përmbajtjen, nuk është e rëndësishme kjo për të.

Deputetja shpreh qëndrimin se PDK është kundër një asociacioni me kompetenca ekzekutive./Gazeta Blic/