Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, e ka konsideruar si hap të rëndësishëm, pranimin e Planit Evropian nga Qeveria e Kosovës.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Twitter, Bildt, ka thënë se kjo lëvizje do të ndikojë që të ecet tutje në normalizimin e marrdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“U desht pak kohë, por tani duket se ka një lëvizje të re në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Hap pas hapi drejt normalizimit të mardhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Bildt.
Ndërkaq, ish-kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati, duke shpërndarë statusin e Bildt, ka thënë se normalizimi si një pararendës për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kërkon që Bashkimi Evropian të lëviz në drejtim të shteteve mosnjohëse.
“Ky është çelësi për të shmangur recetat që çojnë në “zgjidhje të ngrira”. Duke pasur parasysh peizazhin e ri të sigurisë në Evropë, Bashkimi Evropian duhet t’i hapë rrugë Kosovës drejt BE-së”, tha Bushati.
Reagimi i Bildt erdhi pasi Kurti ka thënë se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë Kurti e ka konsideruar një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara.


